Madhështore dukej të premten arena ku të shtunën madhështinë e synon Distria Krasniqi. Garat e xhudos në Lojërat Olimpike mbahen në arenën “Nippon Budokan” në Chiyoda të Tokios në Japoni.
Flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë ishin vënë në arenë, përkrah flamujve të vendeve të tjera prej nga marrin pjesë xhudistët.
Në arenën e bukur, me vendin për luftëra të xhudos në qendër, janë bërë të gjitha përgatitjet për një garë të nivelit më të lartë të mundshëm. Pos stafit lokal që kujdesej për t’i drejtuar të gjithë që kishin qasje në objekt, në “Budokan” ishin pak punëtorë që kryesisht merreshin me detajet e fundit të anës teknike të ngjarjes.
Xhudistë nuk kishte. Xhudistët e Kosovës e kishin një stërvitje, por në “Kodokan”, arenën tjetër që simbolizon xhudon.
Për të arritur në palestër, procedura ishte strikte. Duhej të kaloheshin disa kontrolle, ndërsa të angazhuar ishin edhe policia e ushtria japoneze. Por të gjithë, duke përfshirë stafin lokal, ofroheshin menjëherë për të asistuar dhe për të drejtuar personat e paktë që vizitonin Budokanin.
Të premten e gjithë vëmendja ishte në Stadiumin Nacional ku në orët e mbrëmjes u mbajt ceremonia hapëse. Në të morën pjesë edhe xhudistët e Kosovës, por jo edhe Distria Krasniqi. Ajo garon të shtunën në kategorinë deri 48 kilogramë dhe vlerësohet pretenduese për medalje. Në fakt, dukshëm befasi më e madhe do të ishte sikur Distria të mos fitonte medalje sesa të fitonte. Është bartësja e parë, e para në ranglistën botërore dhe në seri impresive.
Dhe për të qenë e pushuar dhe tërësisht e fokusuar për paraqitjen në Budokan, Distria ka pushuar të premten mbrëma dhe ka hequr dorë nga paraqitja në ceremoninë hapëse.
“Nipon Budokan” nuk është sa Stadiumi Nacional. Por, është arenë goxha e madhe. I zë afro 15 mijë shikues dhe ka formë të përshtatshme për gara të xhudos. Në bazë të përgatitjeve të bëra, përkatësisht të asaj që është parë të premten, në ditën e parë gara do të zhvillohet vetëm në një tatami. Vendi i luftës është ngritur më lart se dyshemeja, mbi një metër, sikur për ta dëshmuar madhështinë e garës olimpike dhe rëndësinë që xhudoja e ka për Japoninë.
Në Budokan po punonte një slloven, që ka pranuar nivelin e lartë të xhudos kosovare.
“Keni potencial për medalje. Shpresoj që garuesit tuaj të kenë fat”, ka thënë ai, pa zbuluar emrin pasi kjo nuk i lejohej.
Pikërisht për xhudo është ndërtuar kjo ndërtesë sportive. Ishte ndërtuar para Lojërave Olimpike të vitit 1964. Përkthehet “Salla e Arteve Marciale”. Është rinovuar para këtyre Lojërave.
Natyrisht është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet edhe për ngjarje të tjera pos për xhudo. Ka qenë e njohur edhe për garat profesionale japoneze të mundjes. Është organizuar edhe një Botëror i volejbollit, ndërsa janë mbajtur edhe koncerte të shumta të artistëve të njohur botërorë. Madje, një meç në Budokan e ka zhvilluar më i madhi i të gjitha kohërave, boksieri Muhammad Ali.
Është një objekt tjetër ku vlerësohet se është krijuar xhudoja. Bëhet fjalë për Kodokan, ku xhudistët kosovarë stërvitën të premten. Historinë e Kodokanit natyrisht japonezët e tregojnë me shumë kënaqësi.
“Mezi pres të fillojnë Lojërat Olimpike këtu në Japoni. Kodokan është formuar nga Kano Jigoro Shihan në vitin 1882 dhe përfaqëson origjinën e sportit tonë për xhudistët në të gjithë botën. Xhudo u bë sport olimpik në Lojërat e vitit 1964 dhe tani mbi 200 vende e regjione janë anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos”, thotë Harukim Uemura, president i Kodokanit dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të IJF-së.
Për të gjithë xhudistët në botë vlerësohet gjë e madhe të qëndrojnë të paktën njëherë në Kodokan. Përkthimi më i përafërt për Kodokan vlerësohet të jetë “vendi për të studiuar mënyrën (rrugën)”. Aty ligjërohen ende mësimet e Jigoro Kano Shihan, statuja e të cilit shihet qartë jashtë ndërtesës. Mësimet e Kanos përbëjnë xhudon si mënyrë jetese, jo vetë si disiplinë sportive.
Kodokan e Nippon Budokan mbesin qendrat më të rëndësishme të xhudos. Kjo e dyta të shtunën mund të “pushtohet” nga Distria Krasniqi. Në ditët e ardhshme edhe nga Majlinda, Nora, Akili e Loriana.
Të fitohet medalja olimpike në vendin e origjinës së xhudos do të ishte e jashtëzakonshme për secilin xhudist. Pra, edhe për ata kosovarë. Natyrisht edhe për shtetin e Kosovës.
