Tokio, 28 korrik – Medaljet e radhës janë ndarë në not, të mërkurën në sesionin e paraditës në Tokyo Aquatics Centre. Emri më i njohur që notoi në pishinën gjigante ishte amerikania Katie Ledecky. Ledecky ka konfirmuar edhe njëherë pse është notarja më e mirë më disiplinat e distancës. Ajo fitoi të artën në 1500 metra stil të lirë. Podiumin Ledecky e ndajti me amerikanen tjetër, Erica Sullivan dhe gjermanen Sarah Kohler. Sullivan fitoi të argjendtën, ndërsa Kohler të bronztën.
Rekordmenja botërore dhe olimpike, Ledecky, kishte kohë prej 15:37.34 minuta. Mbi katër sekonda pas mbeti Sullivan, ndërsa gjermanja Kohler pati dallim me fituesen prej afro gjashtë sekonda.
Për Ledeckyn ishte medalja e parë e artë në Lojërat e Tokios. Suksesi i saj në 1500 metra edhe pritej. Por e mërkura nuk ishte ditë plotësisht e suksesshme për notaren amerikane. Vetëm një orë para triumfit, ajo përjetoi dëshpërimin më të madh në karrierën olimpike. Dështoi të zë vend në podium në 200 metra stil të lirë. Ishte hera e parë që mbeti pa vend në podium në Lojëra Olimpike.
Gara në 1500 metra është e para në histori të Lojërave Olimpike për notare. Deri të mërkurën notaret nuk kanë garuar në distancë më të gjatë se 800 metra, në pishinë. Bëhet fjalë për Lojërat Olimpike pasi në Botëror kjo distancë është pjesë e programit prej vitit 2001. Notarët ndërkohë kanë garuar në 1500 metra për dekada të tëra.
Gara në 1500 metra vlerësohet shumë sfiduese për notarët e notaret. Është rraskapitëse në aspektin mental e fizik. Ledecky ka nisur herët shkëputjen. Ka mbajtur ritmin, duke rritur shpejtësinë gradualisht. Gara shpejtë u shndërrua në garë për pozitën e dytë, pasi e para dihej.
Nga të pranishmit në arenë, paraqitja e Ledeckyt është përcjellë me interes. Pritej të shihej reagimi i saj pas dështimit në 200 metra. Duartrokitje të shumta ka pasur nga tribunat, sidomos nga amerikanët. Ndonëse Lojërat po zhvillohen pa praninë e shikuesve, në “Aquatics Centre” ishin mbi njëmijë persona. Pos gazetarëve e fotoreporerëve të shumtë, kishte edhe zyrtarë dhe grupe notarësh që luanin rolin e tifozëve. Notarët janë grupuar varësisht se prej cilit vend vijnë.
Gara në 1500 metra, ndonëse e gjatë dhe pa intensitetin e garave të shpejtësisë, është interesante. Gjyqtarët qëndrojnë në të dy skajet e pishinës. Në fund të pishinës gjyqtarët mbajnë numrat për t’u treguar notareve edhe sa xhiro u kanë mbetur. E ndërrojnë manualisht numrin sa herë që notaret prekin me duar murin e finishit. Atë të mërkurën më së shpejti e prekte ylli Ledecky që shtoi edhe një medalje në koleksion.
Dita nisi me gjysmëfinale. Pas dy garave gjysmëfinale në 100 metra stil të lirë te notarët, erdhi radha për finalen e parë. Bëhet fjalë për 200 metra stil të lirë për notare. Ariarne Titmus, e njohur si “Terminatori”, u shpall kampione, duke vendosur edhe rekord olimpik. Koha e saj ishte 1:53.50 minuta. Siobhan Bernadette Haughey e Hong Kongut ishte e dyta me kohë prej 1:53.92 minuta. E treta ishte Penny Oleksiak e Kanadasë me kohë 1:54.70 minuta.
Ledecky ishte larg vendit të parë, por edhe podiumit. U rendit e pesta me 1.71 sekonda vonesë ndaj fitueses.
Ishte thënë shumë më herët se e mërkura është dita e Ledeckyt. Ajo garonte në dy gara që dallojnë goxha shumë nga njëra-tjetra. Synonte dy të arta, por e mori një. Ledecky ka ardhur në Tokio me synimin për të fituar pesë të arta, katër individuale dhe një në stafetë. Deri më tani e ka një të artë e një të argjendtë.
Dhe Titmus ngadalë po shndërrohet në mbretëreshë të re të notit, që aktualisht është Ledecky. 20-vjeçarja fitoi medaljen e dytë të artë brenda tri ditëve në Tokio 2020. E kishte mposhtur Ledeckyn edhe të hënën në 400 metra stil të lirë dhe për momentin është emri kryesor në garat e shpejtësisë.

“Unë vetëm e kam falënderuar atë”, ka thënë Titmus për Ledeckyn. “Nuk do të isha këtu pa të. Ajo ka vendosur këtë standard për distancën e mesme në stil të lirë. Nëse nuk do të kisha dikë si ajo për të ndjekur, përfundimisht nuk do të notoja në mënyrën se si po notoj”, ka shtuar australiania Titmus. Nga ndjekëse ajo është shndërruar në notaren që duhet mposhtur.
Kristof Milak i Hungarisë fitoi të artën në 200 metra delfin, ndërsa japonezja Yui Ohashi fitoi të 200 metra stil të përzier, para se Ledecky sërish të futej në pishinë. U zhvilluan edhe katër gjysmëfinale në disiplina tjera para se Milak të thyente rekordin olimpik të Michael Phelpsit në 200 metra delfin.

Koha e Milakut ishte 1:51.25 minuta, ndërsa Phelps mbante rekordin nga Pekini 2008 me kohë prej 1:52.03 minuta. Milak e mban edhe rekordin e botës.
Ndërkohë Japonia, nikoqirja e Lojërave Olimpike, ka yllin e ri të notit te Ohashi Yui. Medalja e artë e fituar të mërkurën në 200 metra stil të përzier është e dyta për të në Tokio. Kishte fituar edhe në 400 metra stil të përzier.

Pas shkëlqimit të japonezes ishte koha që Ledecky të dëshmonte se pse është më e mira e notit aktualisht.
“Pas garës në 200 metra e kam ditur se duhet të ndryshojë faqen shumë shpejtë. Kam menduar për familjen para garës. Kam menduar për gjyshërit. Janë katër njerëzit më të fortë që i njoh dhe kjo më ka ndihmuar që të kaloj këtë”, ka thënë Ledecky. Ajo nuk e ka vlerësuar tragjik rezultatin në dy garat e para.
“Mendoj se njerëzit ndoshta ndihen keq për mua, që nuk po fitoj çdo gjë. Por unë dua që njerëzit të jenë më të brengosur për gjërat tjera që ndodhin në botë, për njerëzit që vërtetë janë duke vuajtur. Unë thjeshtë jam krenare që ta dërgoj në shtëpi medaljen e artë me ekipin e SHBA-së”.
Sesioni i paraditës u mbyll me garën stafetë, 4x200 metra stil të lirë. Pati shumë përkrahje nga tribunat, të grupeve të notarëve që ishin prezent. Atmosfera u ndez pak, ndërsa vendin e parë e zuri ekipi i Britanisë së Madhe me kohë prej 6:58.58 minuta. Ekipi i Komitetit Olimpik të Rusisë fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa ekipi i Australisë të bronztën. SHBA-ja mbeti jashtë podiumit.

Ekipi i Britanisë përbëhej nga Tom Dean, James Guy, Matthew Richards dhe Duncan Scot. Për ekipin e Britanisë së Madhe ishte e dyta medalje e artë në histori të Lojërave Olimpike. Të parën në këtë disiplinë britanikët e kishin fituar në vitin 1908.
Garat e notit janë prej kryesoreve dhe më të përcjellura sa i takon Lojërave Olimpike. Por për shkak të mungesës së tifozëve, nuk po e kanë shkëlqimin e zakonshëm. Megjithatë drama dhe momentet historike nuk po mungojnë.