Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tokio 2020

Komiteti Olimpik i Bjellorusisë konfirmon largimin e dy trajnerëve nga Japonia

Dy trajnerë të ekipit të Bjellorusisë janë përjashtuar nga Olimpiada, katër ditë pasi ata ishin përfshirë në tentimin për ta dërguar atleten Krystsina Tsimanouskaya në Bjellorusi.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka thënë të premten se ua ka hequr të drejtat për pjesëmarrje trajnerëve Artur Shimak dhe Yury Maisevich.

Tsimanouskaya ka kritikuar trajnerët e ekipit në rrjete sociale dhe tani është në Poloni me vizë humanitare.

Komiteti Olimpik i Bjellorusisë ka thënë se të dy do të kthehen në Minsk së shpejti dhe se “ata e kanë të drejtën për t’u ankuar për këtë vendim”.

“Komiteti Olimpik Shtetëror i Republikës së Bjellorusisë e konfirmon këtë informacion dhe posa trajnerët të kthehen në Minsk, do ta kenë të drejtën e ankesës. Ne ende jemi të hapur për dialog dhe jemi në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për t’i qartësuar të gjitha rrethanat e vendimit. Komiteti Olimpik i Bjellorusisë i mbron dhe do të vazhdojë t’i mbrojë të gjithë interesat e sportistëve dhe trajnerëve bjellorus nga çdo formë e diskriminimit, nëse ka”, ka thënë Viktoria Mennanova, shefe e departamentit të informimit në Komitetin Olimpik të Bjellorusisë.

Bjellorusia është në trazira për një vit qëkur presidenti autoritar, Aleksander Lukashenko, e shpalli mandatin e gjashtë në zgjedhjet shtetërore që u vlerësuan të parregullta.

Edhe Atletja bjelloruse e sigurt në një hotel në Tokio pasi refuzoi të kthehet në shtëpi Tokio 2020 Atletja bjelloruse e sigurt në një hotel në Tokio pasi refuzoi të kthehet në shtëpi

Lukashenko e udhëhoqi Komitetin Olimpik të Bjellorusisë për afër një çerek shekulli, para se t’ia dorëzonte punën djalit të tij të madh, Viktorit, në muajin shkurt.

Të dy Lukashenkot nuk u lejuan të marrin pjesë në Lojërat e Tokios nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.