Tokio 2020

Kipchoge mbron titullin olimpik në maratonë

Eliud Kipchoge është bërë atleti i parë që nga viti 1980 i cili ka mbrojtur titullin olimpik në maratonë.

Kipchoge triumfoi të dielën në ditën e fundit të garave në “Tokio 2020”, duke e përfunduar garën me kohë 2:08:38 orë.

Kipchoge konsiderohet si vrapuesi më i mirë në histori të maratonës (vrapim 42 kilometra e 195 metra). Ai është rekordmen i botës në maratonë, ndërsa është bërë vetëm i treti në histori që ka mbrojtur titullin olimpik në maratonë. Ai kishte fituar të artën në LO "Rio 2016". 

Keniani 36-vjeçar përfundoi garën për 1:20 minuta para holandezit Abdi Nageeye që fitoi të argjendtën. I bronztë doli belgu Bashir Abdi. Abdi përfundoi para kenianit La]rence Cherono.

“Mendoj se kam plotësuar trashëgiminë time duke fituar dy tituj rresht në Lojërat Olimpike në maratonë. Shpresoj të kem inspiruar gjeneratën e re. ‘Tokio 2020’ u mbajt, do të thotë shumë. Do të thotë se ka shpresë. Do të thotë se jemi në rrugën e duhur për t’iu kthyer jetës normale”, ka thënë Kipchoge, transmeton BBC.