Tokio 2020

I fundit në baterinë e parë, Hajdari thotë se ritmi i garës nuk ishte në favorin e tij

Ishte pjesë e baterisë bindshëm më të shpejtë. Ndau shtegun me vrapues që synojnë suksesin dhe ritmi që vendosën ata nuk iu përshtat.

Musa Hajdari bëhet sportisti i radhës i Kosovës që përfundon garimin në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Hajdari 33-vjeçar të shtunën garoi në kualifikime në vrapim 800 metra. Kishte rezultat larg prej atij të kërkuar për të kaluar në gjysmëfinale.

Dhe Lojërat e Tokios për të janë të përfunduara, njëjtë si për shumicën e sportistëve kosovarë. Ka mbetur të garojë vetëm edhe mundësi Egzon Shala, javën e ardhshme.

Hajdari që në fillim të vrapimit në shtegun e Stadiumit Olimpik në Tokio mbeti bindshëm prapa shumicës së vrapuesve tjerë të baterisë së parë. Për kohë të gjatë e mbajti pozitën e parafundit. Por, edhe atë e humbi në fund nga Pol Moya i Andorrës.

Baterinë e parë e fitoi keniani Ferguson Cheruiyot Rotich me kohë 1:43.75 minuta. I dyti ishte australiani Peter Bol me 1:44.13 minuta. U kualifikuan në gjysmëfinale edhe Elliot Giles i Britanisë së Madhe, Abdelati El Guesse i Marokut dhe Isaiah Jewett i SHBA-së. Amerikani kishte kohë prej 1:45.07 minuta. Vetëm fituesi i baterisë së katërt kishte kohë pak më të mirë se i fundit i kualifikuar i baterisë së parë.

Gara kualifikuese u zhvillua në gjashtë bateri, përkatësisht grupe. Dhe derisa një grup i fortë zakonisht është përparësi, ky nuk ishte rast te Hajdari të shtunën. Ai nuk arriti rezultatin më të mirë personal, ndërsa thotë se ka dhënë më të mirën. 1:47.70 është rezultati më i mirë i tij i evidencuar. E kishte arritur që në vitin 2015 në Botëror. Në fazë të vonshme të karrierës, Hajdari pranon se mosha nuk e favorizon.

Hajdari mori pjesë në Olimpiadë falë ftesës për universalitet. Dhe, si shumica e atyre që marrin pjesë me ftesë, u ndal herët.

“Pas një rrugëtimi të gjatë e me shumë sfida e vështirësi, sot u paraqitëm në Lojërat Olimpike. Është hera e dytë që marr pjesë në Olimpiadë. Isha edhe në Rio 2016. U mundova të jap më të mirën nga vetja. Isha në grupin më të shpejtë nga gjashtë sa ishin. Ritmi i garës nuk ishte në favorin tim. Kështu që ndoshta ndikoi në një masë që mos të jetë së paku rezultat më i mirë”, ka thënë Hajdari për KOHËN.

“Duhet të jemi realistë dhe ta pranojmë që mosha nuk flet në favorin tonë. Kështu që nëse i marrim parasysh të gjitha këto, mund të them që ishte një paraqitje e mirë. Absolutisht jo i kënaqur me këtë, por jo çdo herë gjërat shkojmë ashtu si dëshirojmë”, ka theksuar njëri prej atletëve më të mirë në vend, që tashmë e ka përvojën e shumë ngjarjeve ndërkombëtare.

1:46.59 ishte rezultati më i dobët i atyre që kaluan në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale kaluan tre më të mirët në secilën bateri dhe gjashtë të tjerët më të shpejtit. Gjithsej garën eliminatore në 800 metra vrapim e përfunduan 47 atletë. Një nuk startoi. Hajdari ka përfunduar i 43-ti dhe ka lënë katër prapa. Koha e tij në Tokio ishte 1:48:96 minuta.

E shtuna ishte dita e dytë e garave në atletikë, sportin kryesor në Lojërat Olimpike. Të premten ishte vetëm një finale, ajo në 10 mijë metra vrapim. Selemon Barega i Etiopisë fitoi të artën me kohë 27:43.22 minuta. Pas tij ishin dy vrapues nga Uganda.

Të shtunën janë zhvilluar kualifikimet në 400 metra vrapim me pengesa për atlete, kualifikimet në kërcim me purtekë për atletë, kualifikimet në hedhje të diskut te atletet, kualifikimet në 100 metra me pengesa tek atletet dhe në 100 metra te atletët. Të tjera gara ishin në program pasdite.

Jo edhe për Hajdarin, që tashmë e ka përvojën edhe të një olimpiade.