Tokio 2020

Hajdari kthehet në skenën e madhe me shpresë për më shumë sukses

Pesë vjet më parë, atleti Musa Hajdari doli i fundit në baterinë e tij në disiplinën 800 metra vrapim në Lojërat Olimpik “Rio 2016”.

Hajdari është i vetmi prej garuesve që mori pjesë me ftesë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, e që do ta përfaqësojë Kosovën edhe në Lojërat Olimpike në Tokio, që nisin të premten dhe përfundojnë më 8 gusht. Sërish ai merr pjesë me ftesë.

Pritshmëritë e atletit të disiplinës 800 metra janë më të mëdha për garën në Tokio të Japonisë sesa në Rio të Brazilit. Për pjesëmarrje në Tokio, Hajdari po përgatitet në kampin e klubit Rogana në Kamenicë, ndërsa një pjesë të stërvitjeve i ka zhvilluar edhe në shtegun e atletikës në fushën me bari sintetik në Gjilan.

“Shpresoj që do të dalim edhe më mirë se në vitin 2016 me rezultat. Përgatitjet kanë ecur shumë mirë, pasi testet që i kemi bërë na japin shpresë dhe besim që do të dalim më mirë se në vitin 2016. Përkundër moshës në të cilën jam, jam munduar ta mbaj formën dhe atë për të cilën po flasim besoj se do të shihet edhe atje. Po bazohem nga testet që i kemi bërë dhe rezultati do të dalë besoj shumë mirë, por do t’ia lëmë garës”, ka thënë Hajdari të dielën për KOHËN.

Hajdari 34-vjeçar është nga Kamenica. Ai pranon se vështirësitë kanë qenë më të mëdha në Rio, ndërsa në Tokio thotë se do të jenë më i lehtësuar në anën emocionale.

“Në vitin 2016 ka qenë hera e parë për Kosovën që ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe ka qenë më e vështirë për ne. Hera e parë gjithmonë është e vështirë për të gjithë, mirëpo tash besoj që pjesëmarrja jonë e dytë në Lojërat Olimpike do të jetë diçka më e veçantë dhe më e lehtë në aspektin emocional dhe në përgjithësi. Kështu që shpresojmë të dalim sa më mirë të jetë e mundshme”, është shprehur Hajdari.

Hajdari dhe xhudistet Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, janë për herë të dytë së bashku në Lojërat Olimpike. Kelmendi e Gjakova edhe në Rio ishin me normë. Kelmendi e fitoi medaljen e artë olimpike, ndërsa pritjet janë që nga sporti i xhudos të ketë sërish medalje.

Hajdari thekson se rruga për ta siguruar pjesëmarrjen në ngjarjen më të madhe botërore sportive është me shumë sfida. Por, ai thekson se është nder për një sportist ta përfaqësojë vendin e tij në Lojërat Olimpike.

“Është një rrugëtim i gjatë, i vështirë nëpër të cilin kemi kaluar. Nuk është pak pjesëmarrja e dytë në Lojërat Olimpike për mua edhe pse jemi me ftesë, mirëpo në rrethanat ku kemi stërvitur është një sukses i madh. Është ndjenjë e veçantë, privilegj, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi për shkak se përfaqëson shtetin e Kosovës e jo si përfaqësues i klubit apo ndonjë federate, kështu që është përgjegjësi e madhe dhe duhet ta japësh më shumë se 100 % për të dalë sa më mirë”, është shprehur ai.

Hajdari drejt Tokios do të niset më 24 korrik bashkë me trajnerin, Zijadin Kryeziu. Në Rio ishte pjesëmarrëse edhe Vijona Kryeziu po ashtu atlete e klubit, Rogana. Por, këtë herë ishte vetëm një ftesë për atletikën.

Hajdari është i kënaqur me përgatitjet e tij, ndërsa uron t’i shkojë mbarë edhe para e gjatë pjesëmarrjes në Tokio.

“Nga 3 korriku jam në fazën e fundit përgatitore në kampin stërvitor të klubit Rogana këtu në afërsi të Kamenicës në një lartësi mbidetare mbi 1100 metra. Është lartësi ideale ku nuk pengon asgjë, ndërsa stërvitjet kryesore i kemi bërë në shtegun e atletikës të fushës me bari sintetik në Gjilan. Kemi stërvitur dy herë në ditë, përgatitjet kanë shkuar mirë dhe shpresojmë të mos kemi lëndim drejt shkuarjeve në Tokio”, ka thënë Hajdari.

Ai shpreson po ashtu që edhe gjatë qëndrimit në fshatin olimpik të mos ketë ndonjë telashe me koronavirus. Thotë se duhet t’i respektojnë me përpikëri masat e vendosura nga organizatorët e Lojërave Olimpike.

“Sipas manualeve që kemi pranuar dhe informatave që kemi, do të ketë masa të rrepta shkaku i situatës me pandeminë, ku do të kemi teste të përditshme, prandaj duhet të kemi shumë kujdes. Mirëpo ne do të fokusohemi në gara dhe jo t’i shikojmë gjërat e tjera”, ka thënë Hajdari, që në garë do të paraqitet më 31 korrik. Gara do të mbahet në stadiumin olimpik të Tokios.