Kur të futet në fushë për Përfaqësuesen e Brazilit në ndeshjen kundër Kinës në “Miyagi Stadium” në Rifu të Japonisë, të mërkurën, 43-vjeçarja Miraildes Maciel Mota, e njohur në të gjithë botën si Formiga, do të mbajë rekordin e saj të pjesëmarrjes në të gjithë shtatë turnetë e futbollit olimpik të femrave. Ajo merr pjesë rregullisht qëkur sporti i futbollit për femra u fut në Lojërat Olimpike në vitin 1996.
Ndeshja e parë e Brazilit në turneun olimpik të Tokios kundër Kinës do të jetë 25 vjet pasi Formiga luajti për herë të parë në Lojërat Olimpike, në barazimin 2:2 kundër Norvegjisë në “RFK Stadium”, në Washington gjatë LO “Atlanta 1996”.
Rekordet e jetëgjatësisë nuk janë asgjë e re për mesfushoren braziliane, e cila në vitin 2019 u bë futbollistja e parë që luajti në shtatë Kupa të Botës. Këtë sukses nuk e ka asnjë futbollist.
Më 1 dhjetor të vitit 2020, ajo u bë futbollistja e parë në histori të Amerikës së Jugut që regjistroi 200 paraqitje ndërkombëtare, kur luajti në fitoren 8:0 ndaj Ekuadorit. Sidoqoftë, duke garuar në Lojërat e saj të shtata Olimpike në Japoni këtë muaj, Formiga lëviz në një nivel edhe më të rrallë të arritjeve sportive.
“Ndeshja me Kinën do të jetë e veçantë për mua, sepse para 25 vjetësh debutova në Lojërat Olimpike”, thotë Formiga.
Edhe
Marta synon të artën në Olimpiadën e Parisit
Duke shkuar drejt Lojërave Olimpike të shtyra të Tokios, vetëm 31 sportistë që nga viti 1896 kanë marrë pjesë në shtatë ose më shumë edicione të Lojërave. Lista kryesohet nga kërcyesi kanadez Ian Millar, që ka garuar dhjetë herë. Vetëm tri femra në histori kanë marrë pjesë në më shumë edicione të Lojërave Olimpike sesa braziliania Formiga - kanadezja Lesley Thompson, gjermano-italiania Josefa Idem dhe gjeorgjiania Nino Salukvadze.
Formiga do të bëhet vetëm femra e njëmbëdhjetë që do të marrë pjesë në shtatë Olimpiada dhe sportistja e parë nga Brazili, duke kaluar pesë sportistë të tjerë nga vendi i saj që kanë garuar gjashtë herë. Ajo do të bëhet e para në të dy gjinitë që paraqitet shtatë herë në Lojërat Olimpike në një sport ekipor.
“Asnjëherë nuk e kam menduar se do të paraqitem kaq shumë në Lojërat Olimpike. Është një nder i madh për mua ta përfaqësoj Brazilin shtatë herë në këtë ngjarje të madhe sportive”, shtoi Formiga.
Sidoqoftë, karriera e Formigas është shumë më tepër sesa thjesht një grumbull statistikash. Në 26 vjetët e fundit ajo ka qenë pika mbështetëse e Brazilit, një titullare e padiskutueshme, edhe tani në të dyzetat e saj. Megjithatë, kur ajo lindi në Salvador në shtetin verilindor të Bahias në vitin 1978, ishte ende e paligjshme që femrat të luanin futboll. Një dekret i vitit 1941 nga Këshilli Kombëtar i Sporteve në Brazil deklaroi se femrat “nuk do të lejohen të praktikojnë sporte të papajtueshme me kushtet e natyrës së tyre”. Duke bërë jehonë të ndalimeve të ngjashme në Angli dhe Gjermani, që e konsideronin futbollin shumë të rrezikshëm për femrat për ta luajtur, dekreti nuk u përmbys deri në vitin 1981.
Formiga filloi të luante futboll në rrugë në moshën shtatëvjeçare, duke u transferuar në Sao Paulo për të stërvitur me kohë të plotë pasi i bëri përshtypje një skauti. Duke besuar se mund të bëhet futbolliste, Formiga thotë se ish-kapiteni i Brazilit, Carlos Dunga, që ngriti Kupën e Botës në vitin 1994, ishte modeli i saj. Ajo me reputacion fitoi pseudonimin Formiga, fjala portugeze për milingonën, për shkak të trupit të vogël dhe punës së madhe që e bën për ekipin në mesfushë.
Vetëm 17 vjeçe, ajo u zgjodh të udhëtojë me skuadrën braziliane në Suedi për Kupën e saj të parë botërore në vitin 1995, duke bërë dy paraqitje si zëvendësuese. Një vit më vonë në kohën e Lojërave Olimpike, Formiga ishte bërë një titullare, që e mbanë 25 vjet më vonë. Pavarësisht fitimit të gjashtë kampionateve të Amerikës së Jugut dhe tri medaljeve të arta në Lojërat Panamerikane, një titull global i është shmangur Formigas për kohë të gjatë. Në dekadën e parë të shekullit XXI, ajo ishte në zemër të një skuadre vezulluese braziliane të kryesuar nga Marta dhe Cristiane, e cila përfundoi me medalje të argjendtë në Lojërat Olimpike 2004 dhe 2008, çdoherë duke iu nënshtruar SHBA-së dhe Gjermanisë, si kampione dhe nënkampione.
Edhe
Shifrat e veçanta të Botërorit: 104 ndeshje, 48 ekipe, tri vende organizatore
Formiga u tërhoq pak nga futbolli ndërkombëtar pas lojërave olimpike “Rio 2016”, por u bind që të kthehej nga ish-trajneri i ekipit Vadao për “Copa America” në vitin 2018. Rikthimi i saj theksoi mungesën e lojtareve të reja që vijnë te Brazili për ta zëvendësuar atë.
“Nuk është bërë asnjë punë e duhur për të siguruar që ne të fillojmë dhe të sjellim brezat e rinj këtu në Brazil, thjesht nuk ka. Ne mund ta shohim që po ndodh jashtë vendit, ndërsa këtu ende përballemi me të njëjtat sfida si më parë. Është e vështirë”, tha Formiga. “Unë nuk dua të kujtohem si lojtarja që luajti për kaq shumë vjet, e cila ishte në të gjitha ato Lojëra Olimpike dhe Kupat e Botës, por si dikush që luftoi për përmirësime në futbollin e femrave në vendin tim".