Tokio 2020

Felixi vendos rekord me të bronztën, fiton medaljen e dhjetë olimpike

Allyson Felix përfundoi e treta në vrapim 400 metra, të premten, dhe kështu e fitoi medaljen e dhjetë olimpike në karrierë. Amerikania u bë sportistja më e dekoruar në histori të Lojërave Olimpike, në atletikë.

35-vjeçarja Felix, ylli i vrapimit, e kaloi Stephanie Ann McPherson të Xhamajkës për ta fituar medaljen e bronztë në “Tokio 2020”. Felix kishte kohë prej 49.46 sekondash, kurse McPherson mbeti pak më prapa me kohë prej 49.61 sekondash.

Shaunae Miller-Uibo e Bahames ishte më e shpejta në këtë garë, duke e fituar të artën. Ajo e ka mbrojtur titullin olimpik që e kishte fituar në Rio de Janeiro. Ajo e përshkoi shtegun e gjatë 400 metra për 48.36 sekonda. Marileidy Paulino e Republikës Dominikane fitoi të argjendtën me kohë 49.20 sekonda.

Medalja e dhjetë olimpike e Felixit e shkëputi atë nga vrapuesja ikonike xhamajkase, Marlene Ottey. Felix e barazoi rekordin e legjendës Carl Lewis, e cila po ashtu ka fituar 10 medalje dhe ishte sportisti më i suksesshëm amerikan në vrapime.

Kjo fitore për Felixin vjen afër tre vjet pasi ajo e hapi një diskutim për mënyrën se si femrat trajtohen në këto gara, por edhe në sporte të tjera në përgjithësi.

Ajo e prishi kontratën me Niken, që shkroi se do të kishte ulje të pagave për femrat të cilat mbesin shtatzënë. Felixi lindi një vajzë në vitin 2018.

Amerikania e fitoi medaljen duke mbajtur mbathur këpucë të dizajnuara nga kompania të cilën ajo e krijoi.

Kjo është medalja e parë e bronztë në karrierën olimpike të Felixit, që nisi në vitin 2004 në Lojërat e Athinës.

Më herët ajo kishte fituar gjashtë medalje të arta dhe tri të argjendta. Mund ta fitojë medaljen e 11-të nëse SHBA-ja ka sukses në finalen e stafetës 4x400 metra, e cila është në program të shtunën në mbrëmje.

Përderisa vendi i tretë do ta linte të dëshpëruar Felixin në të kaluarën, në Tokio kjo medalje ishte shumë e ëmbël.

Felixi ka folur sinqerisht për pengesat që i ka pasur të kthehet pas shtatzënisë së vështirë që e dërgoi atë në sektorin e emergjencës, duke vënë në dyshim jetën e saj dhe të fëmijës.

Ajo ka folur edhe për presionin që e ka ndier për t’u rikthyer shpejt, edhe pse trupi i saj nuk përgjigjej në të njëjtën mënyrë si më parë.

Atletja po ashtu e la prapa një prej pengesave më të mëdha, imazhin privat shumë mirë të kultivuar, për t’u bërë zëdhënëse e diçkaje shumë më të madhe.

“Kur hyj në linjë për të garuar, normalisht se jam e frikësuar”, ka thënë ajo në një shkrim në rrjetet sociale, të publikuar disa orë para garës. “Nuk kam frikë nga humbja. Unë humb më shumë sesa fitoj. Kjo është jeta dhe mendoj se kështu duhet të jetë”.

Pas një gjysmëfinaleje tejet të vështirë, ku u desh të vraponte me gjithë atë që kishte për ta arritur garën për medalje, Felix e pranoi se arritja deri në këtë fazë ishte diçka për t’u përgëzuar. Ajo nuk është e re siç ka qenë më parë, kishte thënë Felix me shaka. Nuk foli për mendimet se ajo mund të largohej pa medalje në garën e fundit individuale në Olimpiadë.

Rezultati i saj në gjysmëfinale bëri që ajo të renditej në korsinë e nëntë, vend ku nuk mund ta shohësh ndonjë prej kundërshtarëve deri në arritjen e fazës finale. Felixi rezistoi dhe kur mbërriti në atë fazë të garës, ajo ishte në luftë për vendin e tretë me McPherson.

Felixi e mposhti atë dhe më pas u rrëzua në tokë, iu gëzua shumë kësaj radhe vendit të tretë, rezultat që do ta fusë atë në librat e historisë.