Komiteti Olimpik i Brazilit do të marrë masa kundër përfaqësueses braziliane të meshkujve në futboll pasi lojtarët refuzuan ta vishnin uniformën zyrtare olimpike gjatë ceremonisë së medaljeve në Lojërat e Tokios të shtunën.
Komiteti lëshoi komunikatë për media të dielën, duke e dënuar qëndrimin e lojtarëve dhe Konfederatës së futbollit të Brazilit, pasi skuadra e mposhti Spanjën në finale dhe e fitoi të artën.
“Pas përfundimit të Lojërave, Komiteti Olimpik i Brazilit do t’i bëjë publike masat që do të merren për t’i ruajtur të drejtat e lëvizjes olimpike, sponsorëve tanë dhe sportistëve tanë”, ka thënë Komiteti Olimpik i Brazilit.
Gjithë sportistëve në delegacionin brazilian u është thënë që t’i mbajnë veshur uniformat e pranuara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, e që sigurohet nga kompania kineze “Peak Sport”, por lojtarët u ngjitën në podium duke mbajtur veshur fanella të kompanisë së veshmbathjeve “Nike”.
Vetëm pjesa e të poshtmeve të uniformës ishte pjesë e kompanisë “Peak”.
Pjesa e sipërme ishte e varur rreth belit.
Lojtarët u kanë thënë mediave braziliane se ata vetëm kanë përcjellë urdhrat e Konfederatës së futbollit brazilian, që nuk ka bërë menjëherë koment zyrtar. Disa raportime thonë se konfederata nuk ka qenë e vetëdijshme për kërkesën që sportistët ta mbanin veshur uniformën e ekipit të Brazilit në podium.
Notuesi brazilian, Bruno Fratus, medalist i bronztë në 50 metra në Tokio, ka thënë se “ishte mesazh i qartë” se lojtarët e futbollit nuk ndihen si pjesë e ekipit olimpik dhe nuk duan t’ia dinë për këtë.
“Ata janë krejtësisht të shkëputur dhe kjo mund të sjellë probleme tek atletët që nuk janë milionerë si ata”, ka shkruar Fratus në “Twitter”.
Ish-notuesja në ujëra të hapura nga Brazili, Poliana Okimoto, medaliste e bronztë olimpike në “Rio de Janeiro 2016”, po ashtu e kritikoi ekipin e futbollit.
“Një nga konceptet bazike të sportit është disiplina”, ka shkruar ajo në “Twitter”. “T’i përcjellësh rregullat nuk duhet të jetë e vështirë. Ajo çfarë ekipi i futbollit ka bërë, mosveshja e uniformës zyrtare në podium, nuk ishte e mirë për imazhin e Brazilit. Është Komiteti Olimpik i Brazilit që duhet të ndëshkohet, jo Federata e Futbollit e Brazilit”.
Ishte medalja e dytë rresht e artë olimpike për Brazilin në konkurrencën e meshkujve në futboll. Më herët asnjëherë nuk ka fituar titull olimpik.