Tokio 2020

Marco Asensio ringjall karrierën në Lojërat Olimpike

Të gjithëve u kujtohen fjalët e dikurshme për Marco Asension, të cilat janë të ngjashme me ato që tani fliten për Pedrin.

Asensio ishte e ardhmja e Real Madridit dhe lojtari që do ta zëvendësonte Cristiano Ronaldon, insistonin në klubin madrilen. Ai shihej si njeriu që më në fund do ta thyente treshen e sulmit të Realit: Gareth Bale - Karim Benzema - Ronaldo. Gjithashtu pritej që Asensio ta udhëhiqte gjeneratën e ardhshme të Përfaqësueses së Spanjës.

Asensio e arriti kulmin në fillim të sezonit 2017/18, në Superkupën e Spanjës, ku Reali i luajti dy ndeshje kundër Barcelonës. Ai në dy ndeshjet e shënoi nga një gol, kurse Real Madridi e mposhti Barcelonën me rezultatin e përgjithshëm 5:1. Driblimi, përfundimi dhe loja e kombinuar e Asensios me Ronaldon, Benzeman e Luka Modriqin, ishin elektrizuese. Aq bindëse ishte fitorja e Realit saqë Gerard Pique i Barcelonës tha më pas: “Kjo është hera e parë që ndihem inferior ndaj Real Madridit”.

Për Asension është folur sërish në Spanjë, pasi mesfushori shënoi golin e fitores ndaj Japonisë në gjysmëfinale të turneut olimpik në Tokio. Asensio shënoi në minutën e 115-të, të martën, për ta kualifikuar Spanjën në finalen e Lojërave Olimpike.

Konsiderohej mrekulli

Karriera e tij me të rinjtë e Spanjës ishte po aq premtuese. Në Kampionatin Evropian të grupmoshës U19 në vitin 2015, Asensio ishte pjesë e një ekipi spanjoll fitues së bashku me Rodrin, Jesus Vallejon dhe Dani Ceballosin. Asensio shënoi dy gola, u zgjodh në “Ekipin e Turneut” si mesfushor dhe iu dha çmimi “Lojtari i Artë” - lojtar i turneut.

Dy vjet më vonë në Evropianin U21, Asensio ishte golashënuesi i dytë më i mirë me tre gola dhe u fut edhe një herë në “Ekipin e Turneut”, këtë herë si sulmues. Shtypi spanjoll u zhyt thellë në atë që e bëri Asensio, të cilin e përshkroi si një nga lojtarët e rinj më emocionues te Spanja dhe Real Madridi. Ata folën për shkathtësinë e tij, përulësinë, pjekurinë e tij, për mënyrën se si e kishte humbur nënën nga kanceri kur ishte 15 vjeç dhe se si ai e vëllai dhe babai i tij tani ishin një njësi e ngushtë familjare. Ai ishte i vendosur për të arritur diçka në futboll dhe ishte në rrugën drejt madhështisë.

Real Madridi nënshkroi me të në vitin 2014, pasi ai kishte shkëlqyer për klubin vendor Mallorca, ku bëri debutimin me ekipin e parë në vitin 2013 kur ishte ende 17 vjeç.

 Lëndimi

Pasi pushtoi faqet e para të gazetave spanjolle pas atyre shfaqjeve në Superkupën e Spanjës në vitin 2017, kampanja e tij pasuese në La Liga ishte shumë e mirë. Ai shënoi gjashtë gola në 32 paraqitje në ligë, 11 në të gjitha garat dhe kontribuoi me gjashtë asistime. Të provokuar nga turpërimi në Superkupë, ​​Messi dhe Pique u nxitën për të fituar në La Liga, me Real Madridin që ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve, i dyti rresht për Asension.

Por sezonin tjetër, 2018/19, Asensio u përpoq të depërtonte në ekipin e parë dhe shënoi vetëm një gol në kampionat. Trajneri Zinedine Zidane bëri thirrje për durim, duke thënë se Asensio kishte kohë për të gjetur atë qëndrueshmëri dhe për t'u bërë një pasardhës i natyrshëm i Ronaldos dhe Lionel Messit. Pastaj fatkeqësia goditi në turneun në SHBA, para fillimit të sezonit 2019/20. Asensio e lëndoi gjurin pa pasur askënd përreth tij kundër Arsenalit. Ishte një lajm i keq, një lëndim në ligamentin e kryqëzuar të përparmë (ACL) në gjurin e tij të majtë, një lloj dëmtimi që mund të përfundojë karrierën në çdo sport. Kirurgjia dhe shërimi e mbajtën atë jashtë fushës së futbollit për 249 ditë.

Asensio dhe Pedri

Futbolli ecën shpejt dhe në mungesë të Asensios u shfaq një mrekulli e re spanjolle. Brenda një viti, Pedri kaloi nga debutimi i tij me Las Palmasin në moshën 16-vjeçare në formimin e një partneriteti të menjëhershëm me Messin në Barcelonë dhe u bë titullar i padiskutueshëm si për klubin nga La Liga ashtu edhe te Spanja.

Ai shkëlqeu përsëri në “Euro 2020”, duke ndihmuar Spanjën të arrijë deri në gjysmëfinale, ku humbi nga Italia pas penalltive. Tani 18 vjeç, Pedri u votua lojtari më i mirë i ri i turneut. Në ndeshjen e parë të Lojërave Olimpike të Tokios, ku Spanja luajti kundër Egjiptit, Pedri luajti ndeshjen e tij të 66-të në 322 ditë. Tani mediat spanjolle mrekullohen me pjekurinë e Pedrit, paparashikueshmërinë e tij, vetëmohimin e tij dhe mënyrën se si ai kombinohet me lojtarët në të gjithë fushën, duke formuar partneritete të natyrshme. Tani, mediumet po i thonë të gjitha gjërat për Pedrin, ashtu siç i thoshin për Asension 25-vjeçar.

Momenti olimpik i Asensios

Pedri dhe Asensio po luajnë së bashku në Lojërat Olimpike, një mundësi për dy lojtarët për të krijuar një partneritet tjetër mbresëlënës dhe për të ndihmuar Spanjën ta fitojë medaljen e parë të artë olimpike të futbollit që nga Pep Guardiola, Luis Enrique, Santi Canizares, Kiko në Barcelona 1992. Edhe pse nuk ishte i zgjedhur për “Euro 2020”, Asensio është i vendosur të ketë sukses si me Realin ashtu edhe Spanjën, duke filluar nga lojërat olimpike “Tokio 2020”. Dikur e pyetën për fitimin e “Topit të Artë” te Real Madridi, tani e pyesin nëse do të qëndrojë në klub me Carlo Ancelottin si trajner i ekipit.

“Unë jam duke qëndruar. Patjetër”, ishte përgjigjja e Asensios. “Unë do të jem në përputhje me pritjet që Ancelotti ka për mua. Synimi im është të qëndroj në Real Madrid, të jem i mrekullueshëm këtu dhe të jap gjithçka. Ndihem sikur kam shumë më tepër për të dhënë në këtë klub”.

Para kësaj, ai është fokusuar në Tokio dhe sjelljen e medaljes së artë në shtëpi për Spanjën.

“Unë jam gati të jap 100 për qind nga vetja për ta fituar medaljen e artë”, pranoi Asensio.

Ai ishte duke u stërvitur në “Ciudad Real Madrid” kur erdhi fjala se ai ishte në skuadër për Tokio, pasi kishte folur tashmë me trajnerin Luis de la Fuente për të luajtur.

“Mezi prisja të shihja listën. Unë isha në Madrid, duke stërvitur në rast se më thërrisnin, jam vërtet i emocionuar. Është diçka që ju e jetoni një herë në jetën tuaj. Pjesëmarrja në Olimpiadë është e veçantë. E kam dashur qëkur isha fëmijë, i shikoja të gjitha sportet, dhe kjo është ajo që e bën atë edhe më të veçantë”, pranoi Asensio.

Kur u pyet nëse kjo ishte një mundësi e ringjalljes së tij, ai u përgjigj: “Unë jam i ngazëllyer për të luajtur në Lojërat Olimpike. Unë nuk jam duke menduar për veten time. Unë jam duke menduar për të bërë më të mirën që mundem për të ndihmuar shokët e mi të skuadrës”.

Dhe, tani falë Asensios, Spanja është një fitore larg medaljes së artë. Në finale, Spanja do të përballet me Brazilin, që është kampion olimpik në fuqi.

“Gjëja e vetme në mendjen time është medalja e artë”, tha Asensio.