Tokio 2020

Skinner vonon largimin nga Tokio për ta fituar të argjendtën

Mykayla Skinner po priste të hipte në një aeroplan për t'u kthyer në SHBA, kur papritmas iu tha se do ta zinte vendin e Simone Biles në finalen e kapërcimit të kalit gjimnastikor të dielën – dhe fitoi një medalje të argjendtë argjendi. Biles tronditi botën kur u tërhoq nga finalja ekipore të martën e kaluar pas një paraqitjeje të dobët, duke përmendur çështje të shëndetit mendor.

Kampionia e katërfishtë olimpike është tërhequr në katër nga pesë finalet individuale të gjimnastikës për të cilat ishte kualifikuar, përfshirë edhe kalin gjimnastikor. Për shkak të protokolleve për COVID-19, sportistët pritet të largohen nga Tokio brenda 48 orëve pasi të përfundojnë garën e tyre të fundit. Pas kualifikimeve të fundjavës së kaluar, Skinner nuk pritej të luante në ndonjë pjesë të mëtejshme në këto lojëra dhe duhej të ishte nisur për në shtëpi në Arizona ditë më parë.

Sidoqoftë, kur Biles papritmas ndërpreu pjesëmarrjen e saj në finalen ekipore, kjo ngriti mundësinë që Skinner të kishte një shans tjetër për të garuar në Tokio nëse Biles përfundonte duke u tërhequr nga ngjarja e medaljes në kërcimin e kalit gjimnastikor.

“Unë jam 24 vjeçe dhe do të jem në gjendje të kthehem në lojë në vend të Simones dhe të kem mbështetjen e saj, nuk është kaq përulëse”, tha Skinner. “Dhe, e dija që Simone do të ishte përkrahësja më e madhe për mua në garë”.

Skinner, duke i përshkruar ditët e fundit në Lojërat Olimpike si “të çmendura”, tha: “Isha duke u përgatitur për të hipur në një aeroplan për të shkuar në shtëpi. Dhe pastaj Simone ishte tërhequr pas finaleve të ekipit”.

Në fakt, Skinner, pak para largimit nga Tokio, e kishte shkruar edhe një mesazh lamtumire në rrjetet sociale.

“Këtu po e mbylli pjesëmarrjen time në Olimpiadë dhe karrierën në gjimnastikë”, kishte shkruar Skinner derisa priste për t’u kthyer në shtëpi.

Ndërkohë, Biles i tha trajnerit të saj se ndoshta Skinner nuk duhet të shkojë në shtëpi, në rast se ajo “ka nevojë të ndërhyjë” dhe se i është dërguar një mesazh për të mos u larguar.

“Dua që të ngjitesh në podium. Dua që të fitosh medalje”, ishte mesazhi i Bilesit për Skinnerin.

Të dielën, Skinner u fut në vend të Bilesit në garë dhe fitoi medaljen e argjendtë, medaljen e saj të parë olimpike në atë që është sezoni i saj i fundit konkurrues.

Udhëtimi i Skinnerit për një medalje ka qenë i vështirë. Ajo ishte një zëvendësuese për ekipin në LO “Rio 2016”, një situatë që ajo tha se ishte e mjerueshme dhe se “ndoshta kam qarë çdo natë”.

Duke vazhduar me kalimin e viteve, duke përfshirë një qëndrim në kolegj, ajo humbi një muaj stërvitje gjatë vitit të kaluar, pasi kontraktoi pneumoni dhe u infektua me koronavirus, e që për pasojë përfundoi në spital, ku qëndroi për një javë.

Disa muaj më vonë, të gjitha vitet e saj të punës së palodhur dhe vendosmërisë për të kapërcyer një numër sfidash më në fund u shpaguan kur ajo siguroi medaljen e argjendtë në Tokio, pas brazilianes Rebeca Andrade, që e fitoi medaljen e artë.

“Mendoj se medalja e argjendtë, e cila erdhi papritur, është mënyra më e mirë për ta mbyllur karrierën. Ndihem shumë mirë”, tha Skinner, e cila do t’u përkushtohet studimeve dhe krijimit të familjes.