Tokio 2020

Italia siguron çerekfinalen në ndeshjen e fundit

Italia ka arritur të kalojë në çerekfinale të turneut olimpik në basketboll në konkurrencën e meshkujve.

Italianët në ndeshjen vendimtare në fazën e grupeve shënuan fitore ndaj Nigerisë me rezultatin 80:71.

Ndeshja ishte e baraspeshuar me të dyja ekipet që kishin epërsinë. Por ishin basketbollistët italian që në periudhën e fundit arritën të bënin diferencën për ta fituar këtë përballje. Nigeria përkundër se në skuadrën e saj ka basketbollistë të cilët luajnë në ekipe të njohura në NBA, nuk arriti të lërë gjurmë në Lojërat Olimpike.

Te Italia me lojë të mirë u veçua Nicolo Melli me 15 pikë të shënuara i ndihmuar edhe nga Nico Mannion që shtoi 14 pikë.

Herën e fundit kur italianët kanë kaluar në çerekfinale të turneut olimpik në basketboll ishte në vitin 2004 në Lojërat Olimpike të mbajtura në Athinë.

Në Olimpiadën e mbajtur në Athinë, Italia fitoi medaljen e argjendtë.