13-vjeçarja Momiji Nishiya është prej pjesëmarrëseve më të reja në Lojërat Olimpike të Tokios. Ajo tashmë është prej kampioneve më të reja në histori të Lojërave Olimpike.
Ajo ka fituar medalje të artë në skatebording, të hënën. Ky sport për herë të parë është pjesë e programit të Lojërave Olimpike. Në duelin për të artën, Nishiya ka mposhtur një tjetër 13-vjeçare, brazilianen Rayssa Leal.
Nishiya kishte 15.26 pikë. 14.64 pikë i mblodhi Leal, ndërsa japonezja tjetër, Funa Nakayama mori medaljen e bronztë me 14.49 pikë.
Fitorja e Nishiyat erdhi një ditë pasi Yuto Horigome fitoi te djemtë për t’u bërë kampioni i parë olimpik në këtë sport.