TEMPUS

Zogaj: Reforma e brendshme, substanciale

Alban Zogaj - kryetar i KPK-se

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV tha se reforma e brendshme është substanciale dhe më e domosdoshme për orientimin e duhur të sistemit të drejtësisë.

“Tanimë jemi në një pozicion shumë më të favorshëm për reformën, dhe për veprim më racional të institucioneve. Këshillat janë shumë komod sot, sepse nuk ka qenë asnjëherë sfidë e Këshillave nëse do të ketë vetting për këshillat dhe kryetarët e gjykatave, që nuk e kemi konsideruar aspak problematike, por kemi pasur shqetësime të shndërrimit të vettingut në një proces që do të jetë një statistikë, por kjo çështje është evituar me opinionin e Komisionit të Venecias”, ka thënë Zogaj.

Zogaj tha se deklarata e përbashkët është një reformë e legjitimuar nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe brenda sistemit, pasi nga viti 2020 janë përballur me vonesa në këtë proces.

Ai shtoi se sistemi gjyqësor dhe prokurorial kanë pasur mekanizma të brendshëm, por baza ligjore, përgjegjësia e mekanizmave të brendshëm dhe përgjegjësia e zyrtarëve që i nënsthrohen këtyre mekanizmave, mbi kriterin e performancës, verifikimit dhe disiplinës, nuk ka qenë në tërësi e qartësuar.

“Gjatë vitit 2022, e kemi marrë një opinion shumë të rëndësishëm nga ekspërtët e Këshillit të Evropës, të cilët kanë thënë se Kosova ka një mekanizëm performance, por duhet të bëhen disa ndryshime, të cilat do duhet të materializoheshin në normë ligjore, si: bazë shumë më të konsoliduar në përformancën në ligj, ndërrimi i kritereve sasiore dhe sugjerimi që të ketë një Komision më të vogël të përqëndruar në nivel të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme”, tha Zogaj.

Zogaj shtoi se mekanizmi ka pasur defekte, të cilat do të rishikohen në procesin e brendshëm dhe se reforma e brendshme është pjesa substanciale dhe më e domosdoshme për orientimin e duhur të sistemit të drejtësisë.