Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Zekaj: Kemi rreth 500 zyra që ofrojnë ndihmë juridike kundërligjshëm

Yll Zekaj, kandidat për kryetar të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se nga 2 mijë zyrat e përgjithshme juridike që janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, 500 prej tyre ofrojnë ndihmë juridike kundërligjshëm.

“Sot në avokatinë, përpos në procedurën penale nëse e marrim që është ekskluzivisht punë e avokatit dhe nuk mund të ketë interferenca të tjera, në procedurën civile, administrative, në Gjykatën Komerciale, sot shohim persona që nuk kanë të bëjnë me avokatinë, nuk kanë licencën e avokatit dhe disa prej tyre nuk janë as juristë”, ka deklaruar Zekaj.

Sipas tij, në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK) rezulton se janë të regjistruara mbi 2 mijë zyra që ofrojnë ndihmë juridike apo zyra juridike, kurse kur shikohet tek lista e avokatëve Zekaj ka theksuar se ende nuk e kanë mbërri numrin 1 mijë e 500.

Nga kjo, avokati ka thënë se del që janë 500 zyra juridike që ofrojnë ndihmë juridike kundërligjshëm, jo vetëm vendore por edhe ndërkombëtare.

“Kemi zyra tjera nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe të tjetërt, të cilët faktikisht e cenojnë profesionin e avokatisë në Republikën e Kosovës, ofrojnë e kualifikime vetëm si zyrë juridike”, ka deklaruar Zekaj.

Edhe Rritja e taksave, Zekaj: Në Gjykatën Komerciale s’do të ketë lëndë ku nuk shpenzohen 500 euro TEMPUS Rritja e taksave, Zekaj: Në Gjykatën Komerciale s’do të ketë lëndë ku nuk shpenzohen 500 euro

Kandidati për kryetar të OAK-ut premton qasje parimore dhe bashkëpunim me secilin institucion

Zekaj ka thënë se do të kenë bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

“Për katër vite qarjet, diskutimet e ashpra, debati jo parimor, nuk i ka kontribuar sistemit të avokatisë. Ajo se çka do të bëhet në të ardhmen do të jetë një bashkëpunim parimor me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, duke filluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me pjesëmarrje aktive të avokatëve në grupet punuese qoftë edhe në komisione funksionale, në Ministrinë e Drejtësisë, ku fillon zanafilla apo ku fillon sponsorimi i draftligjeve për t’u përcjellë e sidomos në ato ligje sistemore ku ka interes profesioni i avokatisë, pastaj edhe në Këshilli Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial”, ka deklaruar Zekaj.

Bashkëpunimi ai ka theksuar se t’i ofrohet dhe imponohet Ministrisë së Drejtësisë dhe secilit institucion, për shkak se sipas tij, ata janë për ta ngritur sistemin e sundimit të ligjit në mënyrë të përbashkët në një prej tri hallkave të sistemit të drejtësisë.


“Tarifa për angazhimin e avokatëve ex-officio e ulët, kemi rritje të taksave gjyqësore”

Zekaj ka theksuar se tarifat për angazhimin e avokatëve ex-officio është e ulët.

Sipas tij, një tarifë e tillë për avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare është e njëjtë që nga viti 2014.

“Ajo që tani është preokupuese është vetë tarifa që angazhohen avokatët sipas detyrës zyrtare. Një tarifë e tillë është që nga viti 2014 e pandryshuar edhe kjo e caktuar sipas detyrës zyrtare nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial dhe Policia, por edhe ajo sipas ndihmës juridike falas. Nëse i shikojmë shumat, kemi pas tash një tendencë të Këshillit Gjyqësor për ta shitur si rritje të tarifës por gjë e cila nuk është e tillë. Përkundrazi, ka pasur zbritje të tarifës. Ka pasur rumbullakësim nga 58 euro në 60 euro, nga 48 euro në 50 euro kurse ka pasur edhe kategori të cilat janë ulur. Çfarë ka ndodhur? Është hequr ky tavani 500 euro, por me një politikë të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial për arsye që tani e dimë që janë 1 mijë e 500 avokatë dhe në asnjë rast një avokat nuk e mbërrin 500 euro për realizmi gjatë një muaji dhe si e tillë ajo nuk ka asnjë ndikim në punën e avokatëve”, ka deklaruar Zekaj.

Avokati Yll Zekaj ka theksuar se ekziston një anomali për shkak se tarifat gjyqësore kanë mbetur të njëjta ndërsa taksat gjyqësore po rriten.

“Nëse e marrim një krahasim të inflacionit që ka qenë nga viti 2014 deri në vitin 2024 për 10 vite, nëse e shikojmë se sa fish janë rritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve për 10 vite, e shohim që nëse e marrim si të tillë tarifën për caktimin e avokatëve ex-officio të vitit 2014, vlera e saj është përgjysmuar ne treg. Kështu që edhe kjo është njëra prej problematikave që do të ballafaqohemi… është një anomali, tarifat gjyqësore mbesin të njëjta, taksat gjyqësore rriten”, është shprehur Zekaj.

Ai ka theksuar se tani OAK ka menaxhuar rreth 15 mijë raste të menaxhuara nga avokatët të caktuar sipas detyrës zyrtare.

“Në vitin 2018, kur unë e kam lëshuar Odën e Avokatëve të Kosovës, numri i angazhimeve sipas detyrës zyrtare të cilët janë menaxhuar nga Oda ka qenë 12 mijë raste në të cilat faktikisht kemi pasur të angazhuar një zyrtar për caktimin e këtyre avokatëve dhe nuk ka pas probleme të shumta. Tanimë në Odën e Avokateve ekzistojnë tre zyrtarë për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe përafërsisht numri të cilin e pash në raport është rreth 15 mijë raste të menaxhuara”, ka deklaruar Zekaj.


Zekaj: Avokatët do të përfshihen në ligjbërje përmes diskutimeve publike

Yll Zekaj, kandidat për kryetar të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ka deklaruar se avokatët do të përfshihen në ligjbërje përmes diskutimeve publike.

“Ne do t’i involvojmë, avokatët në çdo pjesë të vendimmarrjes tek çështjet e legjislacionit, tek aktet normative, ne nuk do të ndërmarrim asnjë veprim të aprovimit të akteve normative pa e shterur debatin e brendshëm, qoftë me delegatët, qoftë me anëtarësinë, domethënë në konsultime publike gjë që nuk ka ndodhur më parë. Një grup i ngushtë propozon një draft dhe i servohet delegatëve, sot jam në cilësinë e delegatit të zgjedhur të Kuvendit që do të jem nesër, ne na servohet qoftë një raport i punës, qoftë një buxhet i draftuar që na servohet nesër për t’u aprovuar pa një konsultim paraprak dhe nesër pritet që ne ta ngrisim dorën shkel e shko për t’ia aprovuar këto akte që i ka bërë një grup i vogël punës”, ka deklaruar Zekaj.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Zekaj ka deklaruar se ajo çka dallon në mendësinë e tyre qeverisëse për katër vitet e ardhshme është involvimi i avokatëve në ligjbërje.

“Ne do t’i involvojnë në ligjbërje, në pjesën e normativës avokatët përmes konsultimeve publike vetëm atëherë kur do të shteren të gjitha debatet, do t’i qesin edhe në aprovim”, ka shtuar Zekaj.

Ai ka theksuar se të parët do të jenë avokatët për shkak se ata do t’i zbatojnë ato ligje dhe ata afektohen nga aktet normative, por ai tha se do t’i vendosin në diskutime publike.

ODA sipas tij në katërvjeçarin është karakterizuar me mbyllje totale, andaj do të mbahen mbledhje me avokatë.


Zekaj: Do rrisim efikasitetin e prokurorit disiplinor, për trajtim efikas të shkeljeve të avokatëve

Yll Zekaj, kandidat për kryetar të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), të hënën në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se gjatë mandatit të tij do ta rrisin efikasitetin e prokurorit disiplinor për trajtimin efikas të shkeljeve të avokatëve.

“Ne zotohemi nga kjo studio televizive që do t’i rrisim kapacitetet e prokurorit disiplinor në trajtimin efikas të rasteve, përveç atyre që na vijnë drejtpërdrejt nga ana e qytetarëve, në trajtimin e rasteve ex officio kur faktikisht dyshon prokurori disiplinor që dikush ka rënë në shkelje, por gjithmonë duke e mbrojtur avokatin nga pretendime të kota apo të pabazuara të palëve. Pastaj i mbetet edhe komisioneve disiplinore që të jenë të pavarura, profesionale dhe efikase në trajtimin e çdo rasti që bën shkelje të Kodit të Etikës”, është shprehur Zekaj.

Edhe Zekaj: Rritja e taksave gjyqësore cenon qasjen e qytetarëve në drejtësi Arbëri Zekaj: Rritja e taksave gjyqësore cenon qasjen e qytetarëve në drejtësi

Ai ka deklaruar se OAK është e vetmja Odë ne regjion që ka një sistem të vetëdisiplinimit për të cilën aktualisht mungon implementimi.

“Oda e Avokatëve është ndër Odat e vetme në regjion që ka një sistem të vetëdisiplinimit. Ligji e garanton, Kushtetuta e garanton që Oda e bën vetëdisiplinimin e avokatëve dhe nuk ka asnjë institucion tjetër që të merret me disiplinimin e avokatëve. Mungon implementimi, por ka disa raste që janë implementuar”, është shprehur Zekaj, duke theksuar se e kanë edhe Kodin e Etikës.

Kandidati për kryetar të OAK, ka deklaruar se shpeshherë në zyrën e prokurorit disiplinor në këtë Odë ka shpesh pretendime të pabazuara në drejtim të avokatëve.

“Në kemi një prokuror disiplinor në Odën e Avokatëve të Kosovës i cili ka pas funksionin e tillë kur kanë qenë 600 avokatë dhe po të njëjtin, jo me emër por po të njëjtin numër të prokurorit disiplinor tani kur kemi 1 mijë e 500 avokatë. Kjo tregon një qasje jo të duhur të Odës në ndërtimin e kapaciteteve për të trajtuar edhe çështje disiplinore. Ne shpesh kemi edhe pretendime të pabazuara të palëve në drejtim të avokateve që vijnë në zyrën disiplinore, por duhet të jepet një përgjigje e shpejt, adekuate, efikase që edhe avokati ta di se a ka rënë në shkelje a po jo”, ka theksuar Zekaj.

Avokati ka shtruar se në bazë të raportit të punës së kryetarit aktual të OAK-së janë 107 raste në procedurë që i ka kjo zyrë, të cilat nuk mund të trajtohen


Zekaj tregon problemet me të cilat përballet Oda e Avokatëve dhe vetë avokatët

Kandidati për kryetar të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Yll Zekaj, ka thënë se ka shumë probleme me të cilat përballet OAK si institucion dhe vetë avokatët.

“Problemet janë të shumta në avokati, në fillim duke cenuar dinjitetin e avokatëve çdo ditë edhe në procedura gjyqësore edhe në të tjera, pastaj mungesa e një institucioni që mbron avokatët, që faktikisht është dashur të jetë vetë Oda e Avokatëve, probleme në nëpërkëmbjen e dinjitetit të avokatëve”, ka theksuar Zekaj, në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai ka deklaruar se shohin që avokatët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë sikurse akterët e tjerë të sistemit të drejtësisë.

“Pastaj, nëpërkëmben autorizimet e tyre ligjore përballë profesioneve të lira, sot kemi një profesion të ri pas avokatisë që është profesioni i noterisë, i cili ka marrë shumë kompetenca të avokatëve, të cilat ende qëndrojnë në Ligjin për avokatinë. Kemi ndihmën juridike që parashihet në Ligjin për avokatinë që parasheh edhe draftimin e kontratave, edhe draftimin e autorizimeve, e të tjera, të cilat është dashur të autorizohen nga noterët, noterët faktikisht e marrin këtë dispozitë ligjore të Ligjit për avokatinë dhe e zbatojnë në favor të tyre për arsye se nuk ka psu një zë për të lobuar në drejtim të zbatimit të dispozitav ligjore që parasheh Ligji për avokatinë”, është shprehur Zekaj.

Ai ka theksuar se ka edhe probleme tjera qoftë nga bashkëpunimi institucional, qoftë në grupe punuese ku avokatët mund të ngrenë zërin e tyre.


Kandidati për kryetar të OAK: Profesioni i avokatit nëpërkëmbet pa justifikim, kjo s’do lejohet

Kandidati për kryetar të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Yll Zekaj, ka thënë se profesioni i avokatit nëpërkëmbet pa justifikim dhe se pabarazia si palë në procedurë ndaj avokatit vërehet që nga hyrja në Pallatin e Drejtësisë.

“Është fakt që pozita e avokatit sot është e nëpërkëmbur nëpër institucione por ndoshta jo ekskluzivisht me fajin e institucioneve, por edhe me një mungesë të një zëri nga ata që duhet ta mbrojnë avokatin. E thamë që sot e kemi një problem të qasjes në hapësirat e gjykatave, në Pallatin e Drejtësisë, avokati duhet të shënojë emrin dhe mbiemrin, domethënë barazohet avokati me një palë të rëndomtë kur konsiderohet që avokati si zyre të dytë përveç zyrës së tij e ka edhe objektet e gjykatave për shkak se është në prezencën e tij fizike për çdo ditë dhe disa herë në ditë në këto gjykata për të ofruar mbrojtje dhe përfaqësim të palëve në këto procedura”, ka deklaruar Zekaj, duke theksuar se ky është një problem të ri.

Ai në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se këtë do ta kuptonte nëse do të ishte e njëjtë edhe për prokurorin, por që nuk ka barazi të palëve në procedurë.

“Prokurori kalon pa asnjë procedurë derisa avokati ndalet kur e dimë që të dy; edhe avokati edhe prokurori janë palë në procedurë, përkatësisht avokati është përfaqësues i palës në procedurë. Qysh në hyrje të objektit nuk ka barazi të palëve në procedurë”, ka theksuar ai.

Zekaj ka pasur kritika edhe për Shërbimin Korrektues të Kosovës në trajtimin e avokatëve.

“Mos të flasim edhe në institucione tjera. Në Shërbimin Korrektues sot trajtohet si një qytetar i rëndomtë avokati. Domethënë një kontroll rigoroz i avokatit që e ulë menjëherë dinjitetin dhe reputacionin e tij. Shërbimi Korrektues thirret në raste individuale të shkeljes së avokatëve, por ky nuk është justifikim për t’u trajtuar dhe ulur dinjiteti i avokatit”, është shprehur Zekaj.

Ai ka deklaruar se qasje të tillë kanë të gjitha profesionet tjera duke theksuar se edhe noterët të cilët kanë autorizime publike refuzojnë kërkesat e avokatëve.

“Një qasje të tillë kanë të gjitha profesionet e tjera në raport me avokatin. Nëse e marrim shembull vetëm noterët; sot refuzohet një kërkesë e avokatit pa asnjë justifikim me arsyen se noteri nuk ka kohë për ta kryer një punë të avokatit nëse ajo nuk materializohet dhe nuk është në interes financiar të noterit kur dihet që noterët kanë autorizime publike”, është shprehur Zekaj.

Kandidati për kryetar të OAK-ut, ka theksuar se do të marrin masa institucionale ndaj atyre që e nëpërkëmbin autoritetin e avokatit.

“Do ta monitorojmë punën e avokatit, por më shumë do ta monitorojmë punën e bartësve të funksioneve gjyqësore dhe profesioneve të lira në raport me avokatin. Pra, nuk mundet as gjyqtari, as prokurori e as profesionistët e profesioneve të lira ta nëpërkëmbin autoritetin e avokatit pa justifikim se pse po e bëjnë atë punë”, ka deklaruar Zekaj.

Edhe Oda e Avokatëve thotë se ATK-ja po tenton të ndërhyjë në pavarësinë e tyre Arbëri Oda e Avokatëve thotë se ATK-ja po tenton të ndërhyjë në pavarësinë e tyre

Ai ka shtuar se do të marrin masa dhe nuk do të lejojnë që avokatët të nëpërkëmben.

“Ne nuk do ta lëmë avokatin që të ballafaqohet individualisht me një institucion sepse është e kot. Ne do të veprojmë institucionalisht”, ka theksuar Zekaj duke shtuar se në të kaluarën kanë pasur edhe bastisje të paligjshme të zyrave të avokatëve, përkatësisht pa vendime të gjykatave.