Shala: Duhet të ndryshohet qasja e institucioneve në raport me gazetarët
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ajo që duhet të ndodhë është një qasje e ndryshme nga ana e zyrtarëve publike dhe e institucioneve në raport me gazetarët.
“Klima e cila është krijuar, ka ndikuar që qytetarët kohë pas kohe harrojnë se edhe prej kujt informohen, tërë informimin që e kanë, e kanë nga gazetarët”, ka deklaruar ai.
Tutje, Shala theksoi se është një qasje paradoksale, pasi të njëjtit i cilësohen armik dhe burim informimi. Po ashtu, ai theksoi se është në rregull që zyrtarët të mos pajtohen me gazetarët, por jo të ndikojnë tek publiku duke krijuar një diskurs të urrejtjes kundër tyre, gjë që më pas reflektohet edhe në dhunë.
Shala ka thënë se duhet një përpjekje e vazhdueshme publike për të ndryshuar narrativën e sulmeve dhe etiketimeve ndaj gazetarëve.
Sipas tij, pushteti shpesh krijon një ambient të mjegullt për të ulur besimin e publikut te mediat.
“E para mendoj që duhet me qenë kërkesa e vazhdueshme publike për ndryshim të këtij diskursi, për me e dërgu mesazhin te publiku që është qëllim i politikës të krijohet njëfarë mjegulle që mos ti besohet më pastaj askujt dhe ky është njëfarë qëllimi sepse pushteti e hjek njëfarë mbikëqyrësi, e hjek median si mbikëqyrës pasi çdo herë do ketë diçka se qysh me u mbrojt në raport me mediat, po del një skandal në media, përgjigja e tij është ‘Po ju e dini si janë mediat’, ‘Serbia i ka pagu’… tha mes tjerash Shala.
Ai shtoi se nevoja për ndryshimin e kësaj qasjeje duhet të ngrihet në nivel shoqëror dhe të mbetet një kërkesë e vazhdueshme.
Po ashtu, Shala theksoi rëndësinë e ndjekjes së procedurave ligjore nga gazetarët.
“E dyta, çfarë është shumë e rëndësishme është ndjekja e rrugëve ligjore në secilin rast, është shumë e rëndësishme që fillimisht në secilin rast gazetarët me u siguru që i kanë shkrimet e tyre të balancuara, janë në përputhje me kodet e etikës dhe më pastaj ti ndjekin rrugët ligjore”, shtoi Shala.
Gazetarja thotë se mbetet sfiduese marrja e përgjigjeve nga institucionet
Doruntina Bylykbashi, gazetare në Radio Televizionin Dukagjini, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ky fillim i vitit ka qenë veçanërisht sfidues për marrjen e përgjigjeve, një kriter thelbësor për punën dhe angazhimin e gazetarëve.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi, vitin e kaluar e ka pas numrin me të madh të ankesave nga gazetarët për mosqasje në dokumente publike apo edhe mosmarrje të informatave.”
Tutje, Bylykbashi shtoi se edhe qytetarët kanë krijuar një imazh negativ për gazetarët dhe se është shumë shqetësuese fakti që disa i shohin gazetarin si fajtorin për problemet që ka shkaktuar Qeveria, në vend që përgjegjësia të bie mbi institucionet përkatëse./BetimipërDrejtësi
Pushteti ka një pjesë të përgjegjësisë për gjuhën e urrejtjes ndaj mediave, thotë Besian Beha
Besian Beha, redaktor në Nacionale, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjuha e urrejtjes që përdoret ndaj gazetarëve dhe medias është problem.
“Aq sa janë problem sulmet fizike ndaj gazetarëve, aq problem është edhe gjuha e urrejtjes, gjuha jo e drejtë që e marrin mediat nëpër komente e platforma të ndryshme”, ka deklaruar Beha.
Tutje, Beha tha se një pjesë të përgjegjësisë e ka partia që është në pushtet, pasi zyrtarët e udhëheqës të saj nuk kanë qenë aspak të butë me gjuhën që e kanë përdorur ndaj mediave. Kjo ka shërbyer si shenjë që edhe përkrahësit e partive politike përdorin gjuhë denigruese ndaj gazetarëve, gjë që ka ndikuar në krijimin e një ambienti jo të mirë për të bërë gazetari.
Po ashtu, ai tha se mediumi ku punon, për shkak të politikës kritike ndaj pushtetit, ka qenë në thumb të gjuhës së urrejtjes, duke përdorur edhe institucione publike, siç është Radio Televizioni i Kosovës, për shkak të një raportimi që ka ndodhur.
Beha tha se, në përgjithësi, nuk është krijuar një ambient i mirë, gjë që dëshmohet edhe nga raporti i progresit, ku thuhet se partia në pushtet ka synuar të ndikojë në punën e gazetarëve, por edhe nga rënia në raportin e Reporterëve pa Kufi, ku Kosova vitin e kaluar ka pasur rënie dhe renditjen më të ulët ndonjëherë prej kur është pjesë e këtij raporti.
Beha po ashtu tha se është shumë falënderues ndaj Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD-së, e cila ka qenë bashkëpunëtore në përpilimin e ankesave, me të cilat Nacionalja ka fituar rastin ndaj RTK-së.
“Ka shumë raste kur kemi evidentuar shkelje të ligjit të cilat qytetarët nuk i kanë besuar, kjo pas rastit me RTK-në, por qytetarët nuk e din se këtë rast Nacionalja e ka fituar edhe në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës edhe në KPM”, ka deklaruar Beha.
Tutje, Beha theksoi se shqetësimi kryesor vjen nga deputetët që sulmojnë mediat dhe gazetarët.
“Kur medium boshnjak e bën një përmirësim e mandej e editon tekstin, gjë e cila tregon se sa serioz është mediumi, ata deputetë vazhdojnë me insistu që raportimi ka qenë i vërtetë”, ka shtuar ai.
Dalloshi: Rreth 60 kërcënime e sulme ndaj gazetarëve u raportuan vitin e kaluar në AGK
Blerta Dalloshi, gazetare dhe anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve (AGK), në emisionin “Tempus” në KTV, deklaroi se për vitin 2024 janë regjistruar në AGK rreth 60 kërcënime, një numër më i vogël se në vitin 2023, kur u regjistruan 74 kërcënime.
“Për vitin 2024 janë regjistruar në AGK rreth 60 kërcënime, por këto shifra nuk mund të jenë të sakta, sepse ka gazetarë që e lajmërojnë rastin në Polici por nuk e lajmërojnë në AGK, apo kur e lajmërojnë në AGK e jo në polici”.
Gjithashtu, Dalloshi theksoi se gazetarët vazhdojnë të përballen me presione edhe në vitin 2024, megjithëse në vitin 2023 janë pasur kërcënime dhe sulme të mëdha, përfshirë ato në veri të Kosovës.
Ajo shtoi se çdo vit puna e gazetarëve po rëndohet, duke përfshirë sulmet dhe kërcënimet që vijnë nga interesa të ndryshme, si ato të biznesit, fetare, politike dhe institucionale./BetimipërDrejtësi
Gazetarja thotë se u etiketua si “argate e Serbisë” pse publikoi tri skandale të Policisë
Gazetarja Doruntina Bylykbashi ka deklaruar në emisionin “Tempus” të KTV-së se është përballur me etiketime të ndryshme për shkak të raportimeve të saj.
Sipas saj, gazetarët shpesh bëhen objekt kritikash, veçanërisht në katër vitet e fundit. Ajo theksoi se është akuzuar përanshmëri pas publikimit të disa rasteve që përfshinin institucionet shtetërore.
“Në vitin 2024 kam publikuar tri skandale të Policisë së Kosovës dhe jam etiketuar si ‘argate e Serbisë’, me pretendimin se po punoj kundër institucionit më të rëndësishëm të shtetit”, deklaroi Bylykbashi, gazetare në RTV Dukagjini.
Ajo tha se këto etiketime janë pasojë e një narrative të krijuar nga autoritetet.
“Kjo është e gabuar dhe është formësuar pikërisht nga pushteti. Nuk ka ndonjë shpjegim tjetër për këtë perceptim”, shtoi Bylykbashi. /Betimi për Drejtësi/