Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, Besfort Rrecaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ka dilema nëse marrëveshja e Ohrit, duhet të ketë pëlqimin e Kuvendit.
“Në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend, njëra prej arsyeve se pse nuk kanë shkuar me nënshkrimin e dokumentit kanë shkuar me qëllim të marrjes së pëlqimit, për shkak se koncepti i ratifikimit të brendshëm ka konotacion tjetër, ratifikimi ndërkombëtar bëhet në nivel ndërkombëtar, ai është koncepti i drejtë i ratifikimit, tek ne përdoret ratifikimi”, theksoi Rrecaj.
Ai tha se realisht duhet të shtrohet çështja se a duhet të merret pëlqimi nga ana e Kuvendit të Kosovës për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
“Tash ne e kemi dilemën se a kërkohet pëlqimi i Kuvendit ‘ex post factum’, për shkak se ratifikimi vetëm se është bërë në ditën kur është marrë obligimi, do të thotë më 27 shkurt dhe më 18 mars sepse shpeshherë ratifikimi, nënshkrimi apo dhënia e nënshkrimi është një akt i atypëratyshëm sepse qëllimi dhe synimi i përfaqësuesve shtetëror ka qenë që të bind shtetin, sidomos kur bëhet dhënia e pëlqimit nga ana e kryeministrit, MPJ-së apo Presidentit të Shteti”, deklaroi Rrecaj.
Ai tha se tash, në nivelin ndërkombëtar, marrëveshja është ratifikuar dhe duhet të zbatohet, por sipas tij, mund të kemi potencialisht probleme të brendshme për shkak se kjo paraqet një etapë të re të dialogut Kosovë-Serbi.
“Sepse prej vitit 2008 kur është marrë pëlqimi i Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjes së parë kemi të bëjmë me një marrëveshje dhe marrëveshjet implementuese sepse marrëveshjet implementuese të marrëveshjes bazë nuk ka nevojë që çdoherë të marrin pëlqimin e Kuvendit, ndërsa ka dilema këtu, mirëpo kemi të bëjmë me një marrëveshje e cila targeton dhe ngërthen në vete çështje që lidhen me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe rrjedhimisht sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, marrëveshjet e tilla që lidhen me paqen dhe sigurinë duhet të kenë pëlqimin e Parlamentit. Përndryshe, mund të ketë ndoshta një Qeveri e ardhshme mund të thirret në atë që njihet si ratifikimi i parregullt në aspektin se ratifikimi i marrëveshjes është bërë pa pëlqimin e Kuvendit”, theksoi Rrecaj.