TEMPUS

Rexha: Shqetësues numri i aksidenteve në vendin e punës, 20 vdekje të punëtorëve gjatë 2023-s

Hulumtuesja në Qendrën për Politika dhe Avokim, Rinore Rexha, tha se numri i aksidenteve në vendin e punës vazhdon të jetë shqetësues. Sipas saj, vetëm gjatë vitit 2023 kanë ndodhur rreth 20 vdekje në vend të punës.

“Numri i aksidenteve ende vazhdon të mbetet shqetësues, kemi diku rreth 20 vdekje në vendin e punës gjatë vitit 2023, për dallim nga viti 2022 që kanë qenë 15 vdekje në vendin e punës”, theksoi Rexha në emisionin “Tempus” në KTV.

Rexha deklaroi se aktualisht Inspektorati i Punës vepron me 64 inspektorë të ndarë në shtatë rajone të vendit, dhe se gjatë vitit 2022-2023 ishin monitoruar 60 inspektime të kryera në terrenin e Inspektoratit.

Ajo tha se kishin vërejtur mangësi të mëdha, duke filluar nga mangësitë e raporteve zyrtare të Inspektoratit të Punës.

Sipas saj, gjatë monitorimit është vërejtur se vetë inspektorët nuk kanë kushte të mira të punës, dhe se në dy monitorimet që kanë qenë, dy inspektimet janë kryer me vetura private për shkak që kanë munguar veturat zyrtare.

Ndërsa, sa i përket programit legjislativ, Rexha theksoi se është e rëndësishme të ndryshohet Ligji për Inspektoratin e Punës, sepse ka shumë zbrazëtira juridike dhe se iu imponohet inspektorëve që të punojnë në bazë të praktikave të pashkruara.

Po ashtu, Rexha sqaroi se avancimi i këtyre të drejtave nuk është prioritet, me arsyetimin se Ligji i Punës nuk zë vend në programin legjislativ të vitit 2024.