Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

12 vdekje në vendin e punës sivjet

Vendpunishte

12 persona kanë humbur jetën në vendin e punës brenda shtatë muajve të këtij viti, përfshirë edhe rastin e djeshëm në Prishtinë.

Shifrën për vdekjet në vendin e punës, e ka konfirmuar për KOHËN Inspektorati Qendror i Punës.

Të martën një 26-vjeçar humbi jetën si pasojë e rrëzimit të vinçit në një vendpunishte në Prishtinë. Një tjetër mbeti i lënduar.

Për këtë rast, Inspektorati Qendror i Punës bëri të ditur se vinçi që u rrëzua ishte duke u montuar në momentin kur ndodhi aksidenti.

E si pasojë e rrëzimit të vinçit, para pak më shumë se një muaji edhe një person tjetër ka humbur jetën në Prizren.

Deri në muajin maj, shifra e të vdekurve në vendin e punës ishte 10 dhe kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Edhe Inspektorati dhe sistemi i drejtësisë mbahen përgjegjës për vdekjet në vendet e punës Arbëri Inspektorati dhe sistemi i drejtësisë mbahen përgjegjës për vdekjet në vendet e punës

Kjo shifër u konsiderua alarmante dhe u pasua me një aksion të gjerë të inspektimeve të realizuara nga Inspektorati Qendror i Punës e të ndërmarrë nga Ministria e Punës që udhëhiqet nga ministri në detyrë, Andin Hoti.

Një javë më parë inspektorët realizuan inspektime me ç’rast u ndaluan punimet në 16 vendpunishte në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan e Fushë-Kosovë.

Aksione të tilla po realizohen që nga muaji prill i këtij viti. Ndalimi i punimeve nëpër vendpunishte në të shumtën e rasteve vjen pas konstatimit të shkeljeve të rënda të dispozitave ligjore të cilat paraqisnin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.