Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Ramaj e Hashani tregojnë për ndikimet e hulumtimeve të tyre: Jo gjithmonë ka gatishmëri të merren masa

Saranda Ramaj, gazetare në KOHA dhe Alberta Hashani, gazetare hulumtuese e emisionit “Betimi për Drejtësi”, kanë treguar për ndikimet e hulumtimeve të tyre. Ato theksuan se jo gjithmonë ka gatishmëri që të merren masa pas rezultateve të hulumtimeve.

Gazetarja Ramaj ka thënë se tentativat për të marrë masa bëhen sa për sy e faqe.

“Mendoj se bëhet një tentativë sa për sy e faqe. Pastaj a do të duhej të trajtoheshin ata persona që kanë bërë shkelje në mënyrën si trajtohen, shpeshherë jo dhe shpeshherë mendoj që menaxherët i injorojnë problemet”, tha Ramaj.

Ndërsa, Hashani tha se pjesa dërrmuese e hulumtimeve që janë bërë në kuadër të emisionit “Betimi për Drejtësi” kanë pasur ndikim.

“Pjesa dërrmuese e hulumtimeve që janë bërë në kuadër të emisioneve të ‘Betimi për Drejtësi’ kanë pasur impakt qoftë në një formë ose tjetrën edhe në qoftë se personat gjegjës nuk kanë qenë bashkëpunues në trajtimin e temës që e kemi bërë. Le të themi shembull: cigaret elektronike për të cilat dikur nuk kanë pasur legjislacion dhe janë futur e janë shitur ilegalisht, hulumtim për të cilin kemi pasur edhe kërcënim dhe ka pasur një proces gjyqësor. Ministria e Financave nuk iu është përgjigjur shkresave se pse nuk janë bërë ndryshimet ligjore. E gjitha se çfarë është dashur të bëhet nuk ka qenë kush e di se çfarë. Është dashur që cigaret elektronike si produkte të luksit siç njihen ndryshe në ekonomi, të futen si pjesë e produkteve me akcizë”, tha Hashani.

Edhe Hashani: Ka pasur tendencë që të detyrohemi t’i tregojmë burimet e informacionit për hulumtimet tona TEMPUS Hashani: Ka pasur tendencë që të detyrohemi t’i tregojmë burimet e informacionit për hulumtimet tona

Hashani tha se pas një muaji nga transmetimi i hulumtimit, Ministria e Financave ka bërë hartimin e propozim-vendimit dhe në mbledhjen e Qeverisë është marrë vendimi për cigaret elektronike.

Ajo përmendi edhe ndikimin që ka pasur edhe hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” me titullin “Biznes me Rent a car në parking të ministrisë”, ku u ngrit kallëzim penal ndaj zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.