Alberta Hashani, gazetare hulumtuese e emisionit “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se ka pasur tendencë që në formë të bashkëpunimit, të detyrohen t’i tregojnë burimet e informacionit gjatë hulumtimeve.
E ftuar të hënën në “Tempus” të KTV-së, Hashani tha se një rast i tillë është nga një hetues policor, i cili sipas saj, ka tentuar që në formë të bashkëpunimit të kuptojë se kush është burimi i informacionit për një emision të realizuar.
“Shpeshherë ka raste kur institucionet në forma të ndryshme sikur të bashkëpunimit tentojnë të përfitojnë nga gazetarët dhe burimet e informacionit, e që kjo është shqetësuese normalisht për ne. Gjatë investigimit për ‘Mashtrimet në emër të avokatëve’, ku flitet për një avokat të dënuar për mashtrim, po ashtu për ish-drejtorin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Besim Curri, derisa paraqitej si avokat e që nuk ishte i licencuar për avokat, hetuesi policor i Policisë së Kosovës ka tentuar që në formë të bashkëpunimit të kuptojë se kush është burimi i këtij informacioni”, tha Hashani.
Ajo tha se ky tentim nuk është bërë në formë zyrtare dhe as përmes shkresave elektronike.
“Pra, kjo nuk është bërë në formë zyrtare, nuk është bërë përmes një shkrese elektronike, kjo është bërë përmes telefonit se për ta thelluar hetimin dhe për të na ndihmuar neve në hetim, ne duhet të na ndihmoni që të gjejmë palë, se kush janë palët e dëmtuara derisa realisht i gjithë emisioni tregon çdo detaj të mundshëm të shkeljeve ligjore që janë bërë”, tha Hashani.
Edhe
Ramaj e Hashani tregojnë për ndikimet e hulumtimeve të tyre: Jo gjithmonë ka gatishmëri të merren masa
Hashani tha se ka pasur një tendencë që ata të përfshihen në këtë proces, duke i ftuar që të intervistohen.
Hashani: Raportimi nga gjykatat i vështirë, por gjithmonë deklaratat balancohen
Alberta Hashani, gazetare hulumtuese e emisionit “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se gjatë raportimit gazetarët duhet çdo herë të balancojnë deklaratat.
Hashani tha se monitoruesit e “Betimit për Drejtësi”, që monitorojnë punën e gjykatave, nëse e marrin një deklaratë të avokatit, i cili i mbron argumentet e veta, patjetër duhet duhet të marrin deklaratë edhe nga avokati tjetër i rastit.
Edhe
Kërcënohen me jetë gazetarja dhe kameramani i “Betimi për Drejtësi”
“Na ndodh që monitoruesit na tregojnë që ka gazetarë që e kanë marrë një rrëfim më të ndjeshëm të palëve të dëmtuara se ata shkojnë me emocion dhe e përjetojnë ndryshe procesin gjyqësor dhe me atë e kanë ndërtuar narracionin e stories. Kjo natyrisht nuk ndodh te ne dhe është e rëndësishme me qenë të gjitha palët. Nuk guxon në një raportim nga një seancë gjyqësore të jetë njëri avokat i cili del i mbron argumentet e veta dhe i kundërshton argumentet e tjetrit, e në anën tjetër, kur avokati tjetër flet ajo të mungojë në kuadër të stories se normalisht balancimi i të gjitha palëve është tejet i rëndësishëm”, sqaroi Hashani.