I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tregojnë ndërhyrjen e Policisë në rastin e një 27-vjeçari në Lipjan, i cili më pas humbi jetën.
Qelaj tha se pamjet e rastit kanë shokuar qytetarët, por që rasti kërkon hetim profesional.
“Qëndrimi im është që ky rast kërkon hetim profesional, të kujdesshën dhe të zbardhen të gjitha detajet, sepse nuk është në interes as të familjes së viktimës që faktet të mbeten të pazbardhura. Kam frikë se mund të jetë një prej rasteve ku faktet zbulohen, por përgjegjësia mbetet pezull, shpresoj të mos ndodh kjo, pasi është bërë një gjykim publik që tashmë ka krijuar pritje në opinion”, tha Qelaj.
Ai theksoi se situata ka qenë e vështirë edhe për zyrtarët policorë, pasi po menaxhonin një rast të lajmëruar nga qytetarët si rrezikshmëri, por ngriti shqetësim për mënyrën e trajtimit të të ndjerit pas arrestimit.
“Për mua ka qenë shqetësuese mënyra e trajtimit pas vendosjes në barrelën me të cilën e transportuan viktimën. Nuk i di rrethanat, por besoj që nuk ka qenë e dinjitetshme ta vendosin me duar të lidhura pasi është neutralizu, pasi gjithçka ka ndodh, së paku një trajtim të dinjitetshëm”, theksoi Avokati i Popullit.
Ndryshe, Gjykata e Apelit përmes vendimit që u bë publik të hënën, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan e cila më 9 korrik 2025 ua ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. /BetimipërDrejtësi
