Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Paditësit Sadiku pretendojnë se përmes dallavereve iu morën rreth 3 hektarë tokë në Veternik

Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se përmes dallavereve të falsifikimit të dokumenteve dhe vendimeve të kundërligjshme, atyre iu janë marrë rreth 3 hektarë tokë në Veternik të Prishtinës, vlera e së cilave kap shifra të mëdha. Sipas tyre, të përfshirë në këto dallavere janë zyrtarë e persona me ndikim, përfshirë gjykatës, prokurorë, policë, avokatë si dhe zyrtarë të tjerë. Nexhat Sadiku pretendon se kjo pronë është pronë e tyre për gati një shekull.

Nexhat Sadiku thotë se këtë pronë e kanë prej vitit 1938, ku gjyshi i tij e kishte blerë nga një serb dhe se prej atëherë e kanë punuar tokën vazhdimisht deri në vitin 1962, ku pa dijeninë e tyre i kishte kaluar komunës.

“Na vazhdimisht e kemi paguar tatimin e pronës edhe e kemi punuar tokën, kemi mbjellë drithërat, mandej deri në vitin 1983 kur është po ai euroftografimi, atëherë e kemi kuptuar që na u ka marrë toka, edhe menjëherë kemi bo padi në vitin 1984, në gjykatën komunale atëherë. Janë mbajtur tri seanca. Pas tri seancave për shkak të vlerës se tokës është vazhduar në Gjykatën e Qarkut, në vitin 1987-88, mu më vdes baba, mandej lënda ka pushuar deri mbas lufte”, ka thënë Sadiku për emisionin “Tempus”.

Sipas tij, pas luftës kishin gjetur lëndën dhe vazhduar me seanca gjyqësore, por që nuk ishte vendosur pasi konsiderohej pronë shoqërore. Në vitin 2010, padinë e kishin bërë në Dhomën e Posaçme e Gjykatës Supreme, ku deri në vitin 2017, nuk janë ftuar asnjëherë nga kjo gjykatë dhe se qysh në vitin 2015 kjo pronë i kishte kaluar dikujt tjetër.