Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova është një ndër shtetet e vetme në rajon apo botë, që nuk e ka të rregulluar statusin e bashkësive fetare.
“Është një ndër ligjet e pakta që është në fuqi, i cili i takon kohës së UNMIK-ut. Rregullorja e UNMIK-ut për liritë fetare ishte miratuar në vitin 2006, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk njeh si fe zyrtare, sidoqoftë i njeh pesë bashkësitë fetare siç janë Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse-Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia Hebraike dhe Kisha Ungjillore”, tha Miftaraj.
Ai tha se Kushtetuta aplikon standarde të larta në lidhje me të drejtën e bashkësive fetare në Kosovë, të drejtën për të shprehur secili lirshëm fenë e tij.
“Sidoqoftë, Kosova fatkeqësisht ndoshta është një ndër shtetet e vetme në rajon ose në botë, i cili në njëfarë mënyre ende nuk e ka rregulluar statusin juridik të bashkësive fetare në Kosovë. Kosova funksionon ende me një ligj të vitit 2006, të kohës së UNMIK-ut”, tha Miftaraj.
Sipas tij, ky mund të jetë ndër ligjet me të cilin më së shumti është luajtur “ping-pong”, nga të gjitha legjislaturat.