Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Manaj: Qeveria ta prezantojë opinionin e Venecias siç duhet, LDK-ja e mbështet vettingun

Shkëmb Manaj, koordinator i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, tha se Qeveria duhet ta prezantojë opinionin e Komisionit të Venecias për vettingun ashtu siç është, ndërsa theksoi se kjo parti në parim e mbështet këtë proces.

“Ne vettingun e kemi pjesë të programit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por e para që dua ta theksoj është që të shikojmë se çfarë ka thënë opinioni i Komisionit të Venecias. E kemi parë, nuk është ashtu siç është transmetuar as nga kryeministri e as nga ministrja e Drejtësisë. Ju e dini që në kuadër të koncept-dokumentit janë pesë opsione, Qeveria është përcaktuar për opsionin e pestë, i cili përfshin një vetting të tërësishëm në sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial. Dhe ky opsion i Qeverisë nuk është mbështet nga Venecia dhe kjo duhet të theksohet sepse Komisioni i Venecias në rekomandimet e veta ka mbështet një lloj vettingu të pjesërishëm, jo të tërësishëm, ashtu siç është përcaktuar Qeveria e Kosovës”, tha Manaj në emisionin “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, institucionet e vendit duhet ta prezantojnë dokumentin ashtu siç është shkruar, në mënyrë që t’i hapin rrugë dialogut të brendshëm se si duhet qasur për t’i zbatuar rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Ashtu siç ka vendos Komisioni i Venecias, siç i ka dhënë rekomandimet, vettingu bëhet në pozitat drejtuese në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku përfshihen edhe kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave, por jo edhe prokurorët”, shtoi Manaj.

Manaj theksoi se LDK-ja në parim e mbështet procesin e vettingut dhe i merr parasysh rekomandimet e Venecias, por presin që të hapet dialogu mes qeverisë dhe opozitës.