Arbëri

LDK-ja e refuzoi takimin për vetting me Kurtin

qeveria, kuvendi, sheshi, ibrahim rugova,

Qeveria e Kosovës ka nisur konsultimet me partitë politike për procesin e vettingut.

Në një komunikatë dërguar mediave pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, Qeveria ka thënë se edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë marrë konfirmim për takim, kurse sipas komunikatës Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar së do ta japin kontributin e tyre në Kuvend.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimin me Kryeministrin Kurti, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës në një përgjigje për Kohën ka thënë se duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi i kësaj partie do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës.

Andaj, sipas LDK-së, ftesa e kryeministrit Kurti, për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të vetingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vetingun në sistemin e drejtësisë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, respektimin e standardeve evropiane, si dhe të drejtat e njeriut, Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar kërkesë në Komisionin e Venecias, me qëllim të dhënies së opinionit për Koncept Dokumentin për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe draftin e amendamenteve kushtetuese. Më datë 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për vetingun”, thuhet në njoftim.