Koordinatori i Departamentit për rend dhe ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka theksuar se Qeveria Kurti ka dështuar në procesin e vetingut.
Ai ka thënë se partia në pushtet, kur ka qenë në opozitë, ka proklamuar për një veting gjithëpërfshirës.
“Është hap i mirë që Gjykata Kushtetuese i dha dritë të gjelbër kësaj pjese të vetingut në sistemin e drejtësisë. Por, ne vlerësojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar në procesin e vetingut. Ju e dini që kjo Qeveri sa ka qenë në opozitë ka qenë për një veting gjithëpërfshirës, që përfshin gjithë sistemin e drejtësisë. Por, se si ju ka qasur këtij procesi, na ka sjellë në një momentum kur nuk do të kemi një veting gjithëpërfshirës, por do të kemi një veting të pjesshëm, që përfshin vetëm pozitat menaxheriale në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Manaj në emisionin “Tempus”, në KTV.
Ai ka deklaruar se ky është një dështim i kësaj qeverisje.
“Sepse tash e tutje vetingun e ka orientuar vetëm pjesshëm dhe përveç që e ka orientuar në një pjesë të sistemit të drejtësisë, ajo na ka vonuar për disa vite”, ka theksuar Manaj, duke shtuar se Qeveria nuk ka shënuar asnjë hap në sistemin e drejtësisë.
Sipas tij, vendi ka ardhur në një vend kritik që edhe nëse vetingu përfundon si i tillë, nuk do të bëjë zgjidhjen e duhur dhe s’është i njëjti për të cilin LVV “trumbetoi” kur ishte në opozitë.
Manaj ka thënë se mendon që Qeveria nuk ka për qëllim të bëjë reforma në drejtësi, por kanë për qëllim që ky proces të mos përfundojë dhe ta kapin sistemin e drejtësisë.
“Mendoj që pjesa e sistemit të drejtësisë më shumë ka qenë si pjesë e goditjes së pushtetit të atëhershëm nga opozita që drejtësia ka dështuar, ne jemi për reforma të reja, pa pasur një analizë të thellë për sistemin e drejtësisë. Por, e kam thënë edhe në fillim të qeverisjes së tyre, këta nuk e kanë për qëllim të bëjnë reforma në drejtësi dhe kjo fatkeqësisht po del të jetë e vërtetë”, është shprehur Manaj.
Ai ka theksuar se LDK-ja përkrah rekomandimet e Komisionit të Venecias për procesin e vetingut.
“Me ju thanë të drejtën jemi para një akti të kryer për vetingun në sistemin e drejtësisë sepse edhe në programin tonë politik, të Rrugës së Re të sistemit të drejtësisë, tash e tutje unë vetingun e shohim në rekomandimet që i ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, që përfshin reformën në nivelin e pozitave menaxheriale në sistemin e drejtësisë, në Këshill Gjyqësor dhe Këshill Prokurorial, dhe tek kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët”, ka deklaruar Manaj.
Sipas tij, në momentin kur përfundon procesi i vetingut në pozita menaxheriale, me anë të legjislacionit të ndërtohen mekanizma të qëndrueshme brenda sistemit, të cilat do ta kontrollonin integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të pasur sistem efektiv dhe efikas.