Shkëmb Manaj, koordinator i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, tha se nuk guxon të ndodhë në asnjë institucion në Republikën e Kosovës, të deklarohet se nuk zbatohet ligji e aq më pak nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në emisionin “Tempus” të KTV-së, Manaj të martën tha se nevojitet reformë e thellë.
“Është e papranueshme deklarata e tyre që ata nuk e zbatojnë ligjin dhe unë mendoj që kjo është njëra prej arsyeve që tregon se në çfarë niveli kanë rënë këto Këshilla. Nuk guxon të ndodhë në asnjë institucion në Republikën e Kosovës, në asnjë Këshill që të thuhet ‘ne nuk e zbatojmë ligjin e aq më pak Këshilli Prokurorial i Kosovës’, sepse unë e them shpesh që në emër të pavarësisë kushtetuese, shpeshherë institucionet tona po bëhen të papërgjegjshme në kuptimin e asaj që mos na cenoni pavarësinë, por në anën tjetër do të thotë vetë veprojnë, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm dhe kjo tregon që kemi nevojë për një reformë dhe reformë të thellë në këtë proces”, tha Manaj.
Manaj për moskalimin e Kodit Civil: Përgjegjësi e pushtetit
Shkëmb Manaj, koordinator i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se përgjegjësia për moskalimin e Projektkodin Civil në Kuvendin e Kosovës, i takon shumicës.
“Para se ta shpreh qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, unë e kam për obligim të ju njoftoj juve se këtë Kod Civil, mënyrën se si e ka sjellë tash në Kuvend mazhoranca aktuale ka qenë edhe në mandatin e kaluar kur unë kam qenë kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe kjo nuk ka kaluar sepse Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka mbështetur këtë Kod Civil, nuk ka ndryshuar asgjë nga ajo që kjo mazhorancë tash e ka sjellë dhe që unë mendoj që përgjegjësia së pari i takon mazhorancës, ju e keni parë votimin në Kuvend të Republikës së Kosovës, gjysma e votave të deputetëve të mazhorancës nuk e kanë mbështetur Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës”, tha Manaj në “Tempus” të KTV-së.
Sipas Manajt, është problem nëse shumica në Kuvend nuk është unike vetë dhe kërkon mbështetje nga opozita.