Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Kërçeli: Është shumë herët për të shkuar në zgjedhje, PDK e LDK ende s’kanë asnjë emër për president

Ilir Kërçeli

I ftuar në emisionin Tempus në KTV, Ilir Kërceli, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se është shumë herët për të shkuar në zgjedhje, duke shtuar se nuk ka asnjë emër as nga PDK dhe LDK.

“Vendit nuk i duhen dhe nuk i nevojiten zgjedhje të reja sepse nuk kanë kaluar as katër muaj prej kur ka përfunduar procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 dhe mendoj se qytetarët kanë votuar për katër vitet e ardhshme dhe mendoj se për vendin është shumë herët, besa edhe pak e dëmshme, që të shkohet tani menjëherë në zgjedhje të reja”, tha Kërçeli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tutje, Kërçeli shtoi se kalimi i krizës bëhet bashkërisht nga të gjitha partitë politike.

“Mendoj se duhet të gjithë bashkërisht ta gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ta zgjedhim një president dhe të mos i mundojmë më shumë qytetarët dhe t’i çojmë edhe një herë në zgjedhje, sepse në vitin që lamë pas kishim katër procese zgjedhore, duke përfshirë edhe procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale dhe balotazhin, si dhe dy palë zgjedhje nacionale. Kështu që shpresoj të gjendet një gjuhë e përbashkët, një emër konsensual për president dhe të kalojmë këtë krizë”, tha Kërçeli.

Kërçeli tha se ka pasur komunikime për president, por jo pazare për këtë pozitë.

“Komunikimi është edhe sot, por jo pazare. Vazhdimisht ka komunikim dhe pazari është një dallim i madh, dy kahje shumë të kundërta”, tha Kërçeli.

“Krahasimi për zotin Konjufca nuk qëndron, sepse atëherë nuk është se nuk deshëm me ba zgjidhje, përkundrazi atëherë u ba zgjidhja, por tash nuk e sjellin asnjë emër dhe kur nuk e sjell asnjë emër, kur afati po ecë, kur koha po ecë, kur ti e ki një deputet që ka dalë i dyti më i votuari, nuk po e vendosim si me thanë me short kush po del aty, se po bëjmë hajgare me qytetarë, përkundrazi po e kandidojmë njeriun e dytë në histori të Kosovës, njeriun për të cilin opozita e Kosovës ka pasur fjalët më të mira. Bile LDK, e përmenda edhe më herët, kryetari i LDK-së ka thënë decidivisht: ‘Ku është ta kemi një Glauk Konjufca’”, shtoi Kërçeli.

Kërçeli: Nuk janë rikthyer ministritë e vjetra

I ftuar në emisionin Tempus në KTV, deputeti në Parlamentin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë diskutimit lidhur me numrin e ministrive në qeverinë e tashme të udhëhequr nga kryeministri Kurti, tha se nuk janë rikthyer ministritë e vjetra.

“Ministritë e reja nuk janë rikthyer në ministritë që kanë qenë më herët. Për shembull, ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa Ministria e Diasporës nuk është rikthyer, sepse këto ministri, pas fuzionimit, kanë funksionuar shumë mirë”, tha Kërçeli.
Kërçeli tutje tha se janë munduar që në ato ministri ku kanë pasur mundësi, t’i bashkojnë në një të vetme.

“Nuk janë rikthyer të njëjtat ministri. Fillimisht ideja ka qenë se mund të funksionojnë më mirë, të kursehet buxheti më mirë dhe gjatë rrugës është parë se më mirë është të funksionojnë – të krijohen disa ministri të reja, disa ministri të kthehen dhe të bëhen bashkë, disa ministri tjera janë kombinuar, siç e ceka Ministria e Administratës Publike dhe Digjitalizimit”, shtoi Kërçeli.

Jakaj: Nuk e dimë si është presidenti konsensual sipas VV-së

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin Tempus në KTV tha se nuk dihet mbi bazë të cilave kritere dhe tipareve duhet të jetë një president konsensual sipas VV-së dhe cili sipas partive opozitare.

Jakaj tha se ka edhe kritika ndaj opozitës, pasi që kërkohet një marrëveshje e gjerë politike, për të cilën nuk dihet nëse kjo nënkupton përfshirje në qeverisje apo vetëm për zgjedhjen e presidentit nga LDK apo PDK. Ndërsa shtoi se partinë politike AAK, kryeministri Albin Kurti as nuk e ka ftuar për takim.

Gjithashtu, Jakaj theksoi se jemi duke hyrë në një krizë të re, e cila nuk dallon shumë nga ajo e vitit 2025, duke shtuar se ka munguar transparenca, diskutimi dhe iniciativa e përgjegjshme.

Naim Jakaj, i ftuar në emisionin Tempus në KTV, tha se nuk ka pasur asnjë fije mirëbesimi mes VV-së dhe partive opozitare, të cilat janë takuar një me një.

Jakaj tha se takimet po mbahen të mbyllura dhe në këtë mënyrë publiku mund të keqinformohet, për çka sipas tij nuk është faji i shoqërisë civile, por përgjegjësi e parë e LVV-së si parti e parë, që takimet të jenë publike.

Ndërsa, lidhur me mbajtjen e takimeve të mbyllura mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai shtoi se nuk ka opozitë askund që takimet me pushtetin dëshiron t’i mbajë zhvillimet e brendshme konfidenciale.

Gjithashtu, ai tha se LVV nuk duhet t’ia ofrojë opozitës vetëm një emër të veçantë, por edhe kriteret e caktuara, për të cilat tha se askush nuk i ka diskutuar publikisht.

Për këtë, deputeti i LVV-së tha se kryeministri Kurti ka folur për to në konferencë, ndërsa Jakaj tha se kryeministri në konferencë ka folur vetëm për numra.

Haliti i thotë Kërçelit se kanë qenë jotransparentë: Më mirë që takimet kanë qenë të mbyllura

Albina Haliti, gazetare në ATV, e ftuar në emisionin Tempus në KTV, i tha deputetit të VV-së, Ilir Kërçeli, se kanë qenë jotransparentë, duke shtuar se më mirë që takimet kanë qenë të mbyllura.

“Ajo çka patjetër duhet të diskutohet është mungesa e transparencës jashtëzakonisht e madhe që nuk kanë partitë politike dhe liderët institucionalë për këtë vend dhe për këta qytetarë që kurrë prej goje nuk i lëshojnë. Do të thotë, për më pak se 24 orë ne e dimë se çka ka folur zëvendëspresidenti i SHBA-së në takim me delegacionin e Iranit, ku është diskutuar edhe për çështje bërthamore, ku edhe ka pasur konferencë pas takimit, kanë shkruar në vazhdimësi në rrjetet sociale. Trump dje për kohë të gjatë e kam përcjellë, për rreth dy orë ka mbajtur konferencë me gazetarë”, tha Haliti.
Më tutje, Haliti shtoi se për çështjen e presidentit në vendin tonë, pozitë-opozitë flasin sikur e gjithë bota t’i ketë sytë te presidenti i vendit tonë.

“E liderët politikë, edhe të pozitës edhe opozitës, flasin për çështjen e presidentit sikur e gjithë bota i ka sytë te një president i yni që nuk ka kompetenca aq të mëdha sa i ka Qeveria”, shtoi Haliti.

Marmullakaj: Ka një arsye pse ekzistojnë konsultimet publike

Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin Tempus në KTV, tha se ekziston një arsye pse ekzistojnë konsultimet publike dhe pse duhet të merren parasysh opinionet e shoqërisë civile, organizatave profesionale e asociacioneve të bizneseve.

Për këtë, ai tha se është një nga indikatorët që është vendosur në kuadër të planit të rritjes.
Marmullakaj tha se për vitin 2025, raporti i Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian e quan vit të humbur dhe arsyeja pse ky vit është humbur është për shkak të “trendit të fajlënies politike”, e që sipas tij po vazhdon ende.

Gjithashtu, ai tha se çështja e transparencës ka të bëjë me atë që të ketë një kërkesë specifike ndaj partive politike që të propozojnë një kandidat të tyre.

Lidhur me këtë, deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, tha se i janë drejtuar opozitës që të sjellin kandidatët e tyre dhe u kanë ofruar edhe 30 nënshkrime. Për këtë, gazetarja e ATV-së, Albina Haliti, tha se kjo është një kurth politik sa për të bërë kuorum.