Arbër Kabashi nga Iniciativa për Progres (INPO), ka shprehur shqetësimin për korrupsionin e përhapur në fushën e prokurimit publik në Kosovë dhe mungesën e vullnetit për të miratuar një Ligj të ri që adreson mangësitë aktuale.
“Përderisa përmes prokurimit publik shpenzohet buxheti publik, korrupsioni më së shumti është i shprehur pikërisht në këtë fushë. Ne si organizatë kemi shprehur vazhdimisht shqetësimin për mosmiratimin e një Ligji të ri për prokurimin publik”, tha Kabashi.
Ai në “Tempus” të KTV-së theksoi se ndonëse në agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës është paraparë që çështja e Ligjit të ri për prokurimin publik të trajtohet në mars të vitit 2024, deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret apo vullnet për ta realizuar këtë.
“Ligji aktual ka disa mangësi që po shfrytëzohen nga operatorët ekonomikë dhe zyrtarët e autoriteteve kontraktuese. Ndërlidhja mes tyre shpesh çon në afera të ndryshme korruptive”, shtoi ai.
Kabashi renditi disa prej mangësive kryesore të ligjit aktual. Një nga to lidhet me çështjen e sekretit afarist, për të cilën INPO ka përgatitur një udhëzues për ta adresuar. Po ashtu, problematike tha se është edhe hartimi i specifikimeve teknike, ku shumë autoritete kontraktuese diskriminojnë disa operatorë ekonomikë duke favorizuar të tjerë, çka sipas tij, krijon hapësirë për korrupsion.
“Konsiderojmë se ka ardhur koha për një Ligj të ri për prokurimin publik që të evitojë këto probleme dhe të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e buxhetit publik”, tha Kabashi.
Kabashi: Tri institucionet kryesore të prokurimit publik jane me pozita jovalide
Arbër Kabashi nga Iniciativa për Progres (INPO), në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se tri institucione kryesore të prokurorimit publik aktualisht janë me pozita jovalide.
Kabashi mori shembull drejtorin e Agjensisë Qendrore të Prokurimit, i cili tha se është me mandat të skaduar. Potencoi se Ministria ka hapur një konkurs para 3 muajve, por nuk ka arritur të finalizohet dhe sipas tij kjo Agjenci është duke vazhduar me drejtor me mandat të skaduar.
Përpos kësaj, ai ka përmendur edhe Komisionin Rregullativ si dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit, që në krye kanë ushtrues detyre ose drejtues me pozita të skaduara.
“Gjithashtu, edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është duke vazhduar me kryetar i cili është me mandat të skaduar, edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit pas dorëheqjes së kryetares është i caktuar ushtruesi i detyrës së kryetarit, por ky edhe nga ana e bordit është i jashtëligjshëm pasi që kryetarin me rregull, me ligj e cakton Kuvendi dhe jo antarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit”, shtoi Kabashi.
Kurse, Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se përgjatë kësaj Qeverie kemi numrin më të madh të sekretarëve të përgjithshëm të ministrive që ushtrojnë pozitën e ushtruesit të detyrës.
“Përgjatë kësaj Qeverie kemi pasur ndryshimin e Ligjit për Zyrtarë Pujblikë, njëkohësisht edhe një Ligj të ri për Paga në sektorin publik, pra krejt ideja ka qenë që të reformohet administrata publike, e pikërisht gjatë kësaj Qeverie kemi numrin më të madh të sekretarëve të pergjthshëm të ministrive që ushtrojnë rolin e tyre si ushtrues detyre”, tha Humolli.
Kjo sipas saj sjellë mundësinë e aferave korruptive që mund të jenë të pranishme në një institucion pasi fakti që atyre iu shtohet mandati jep nuancë se në të vërtetë tentohet që në institucione të vendosen persona të afërt me pushtetin.
![IKD](https://resources.koha.net/images/2024/December/09/949ccbdd-3064-4420-84df-6d002d8f6500.webp?q=90&w=150&h=150&r=fill)