Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Gjykata Kushtetuese mund të vlerësojë edhe çështjen e zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar i Kuvendit.
Sipas Jakajt, kjo mund të ndodhë për shkak se Basha u zgjodh kryetar Kuvendi me votat e deputetëve që po ushtrojnë edhe funksionin e ministrit.
“Nuk përjashtohet mundësia që Gjykata Kushtetuese të hyjë tek kryetari i Kuvendit. Ajo që është thënë vazhdimisht, e kemi thënë edhe ne si organizatë (IKD) dhe të tjerët, është që Gjykata Kushtetuese do të duhej të hynte edhe te vlerësimi kushtetutshmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme për një udhëzim administrativ të ministrit Murati ku gjykata e shpalli të paligjshëm, sepse ai (udhëzim) u nxor nga një ministër që ka dy funksione përnjëherë dhe një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet që vetë Qeveria e ka miratuar”, është shprehur Jakaj në “Tempus“.
Përkundër se në Kushtetutë dhe Rregullore të Kuvendit nuk përcaktohet se nënkryetarët e Kuvendit mund të votohen në pako apo jo, sipas Jakajt, kjo praktikë është ndërtuar nga vitit 2008 dhe nuk duhet ndryshuar.
“Për nënkryetarët e tjerë (joshumicë), nuk do të kishte vota asnjëherë, andaj është vendosur të votohen në pako, nuk ka në rregullore apo në Kushtetutë që thuhet në pako, por praktika e ka ndërtuar, fryma e Kushtetutës, fryma e rregullores së Kuvendit, e ka kërkuar që të propozohen në pako dhe të votohen në pako. Ky devijim nga ky rregull që është prej vitit 2008 është cenim i garancive kushtetuese që ne edhe përmes procesit negociator në Vjenë që ka kulmuar pastaj me Pavarësinë e Kosovës është cenuar”, ka thënë Jakaj.
Andaj, sipas tij, pritjet janë që Kushtetuesja ta rrëzojë procedurën e devijuar nga Basha.
“Për këtë pritjet janë që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë një procedurë të tillë që është devijuar nga kryetari Basha dhe të përsërisë procesin e votimit prej këtyre dy nënkryetarëve”, shtoi Jakaj. /BetimipërDrejtësi
