TEMPUS

Haxhiu debaton me Miftarajn rreth opinionit të Venecias për Byronë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka debatuar me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, rreth opinionit të Komisionit të Venecias nëse duhet të rishkruhet ligji për Byronë.

“Unë nuk pajtohem me juve që thoni duhet të rishkruhet komplet, pajtohem plotësisht me atë që rekomandimi i Venecias duhet të adresohet, secila prej tyre”, ka thënë ajo në “Tempus” të KTV-së, duke shtuar se gjashtë nga rekomandimet janë kryesore e disa të tjera janë teknike.

Miftaraj tha se te Byroja i tërë ligji sipas Komisionit të Venecias, duhet të rishkruhet.

“Te Byroja, tërë ligjin duhet të rishkruhet, krejt garancitë, çdo pjesë, prej të drejtave të lirive të njeriut, te palët e treta që i përmendët, te si do të funksionojë Byroja, emërimi kërkon garanci shtesë të shkarkimit të drejtorit”, ka thënë Miftaraj.

Paraprakisht Haxhiu tha se është shumë e rëndësishme që reforma të cilën e kanë nisur të bëhet në mënyrën më të mirë.

“Tepër e rëndësishme është që reformën të cilën e kemi nisur qoftë në drejtësi, qoftë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse kush goditet nëse ne bëjmë keq, qeveria goditet, nuk është interesi i qeverisë të goditet”, tha ajo.