Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Miftaraj për Byronë: Sipas konkluzioneve të Venecias, ky ligj duhet të shkruhet prej zeros

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka thënë se sipas konkluzioneve të Komisionit të Venecias, ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të shkruhet nga fillimi.

“Ministrja i lexoi një pjesë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por që nëse i lexojmë konkluzionet dhe rekomandimet që i ka gjetur Komisioni i Venecias, mund të themi që ky ligj duhet të rishkruhet prej zeros, sepse do të thotë që çdo pjesë ka probleme serioze, të cilat jo vetëm që i cenojnë të drejtat e njeriut, por e cenojnë sigurinë juridike ose me fjalë të tjera, mënyrën se si është propozuar, nuk është garanci se ka me sjellë rezultat”, tha Miftaraj në “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, Komisioni i Venecias thotë që ky ligj duhet të bëhet në harmoni të plotë me Kushtetutën e standardet ndërkombëtare, të cilat janë të aplikueshme në Kosovë, me theks të veçantë praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.