Shyqyri Haxha, ish-kryeshef ekzekutiv Telekomit të Kosovës (PTK) në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se ka paraqitur raste në sistem të drejtësisë për keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës, por asnjë nuk është marrë parasysh.
Ai shtoi se kanë pasur raste kur janë marrë mjete hua nga Telekomi i Kosovës dhe janë dhënë për zhvillimin e IPKO-s.
“Kemi raste kur janë blerë kabllo, fije optike, modema e pajisje në vlerë 3 milionëshe dhe kanë ndenjur në bodrumet e Telekomit për t’i japur përparësi operatorit tjetër, dhe nuk janë instaluar kurrë, ka pasur raste që faktikisht në infrastrukturën e Telekomit, ka figuruar që ka fije optike, e në fakt nuk ka pasur fare”, ka thënë Haxha.
Ai shtoi se në atë kohë shteti dhe sistemi i drejtësisë kanë qenë kundërshtarët më të mëdhenj të tij, duke shtuar se ndoshta përmes vettingut do të hulumtohen rastet që janë paraqitur e që janë refuzuar.
“Janë rreth 12 padi të cilat i kam ngritur në atë kohë, ky sistem i drejtësisë më ka ftuar mua dhe brenda një dite m’i ka refuzuar të gjitha rastet, një nga një”, ka shtuar Haxha.
Tutje, ai ka thënë se i kanë denoncuar njerëzit dhe mënyrën se si Telekomi i Kosovës nuk ka investuar në infrastrukturë të veten, por e ka ndihmuar operatorin tjetër.
“Unë kur e kam ngritur rastin Sim to Sim, prokuroria nuk e kanë hulumtuar rastin, është dashtë personalisht që të merrem me përgatitjen e policëve tanë në aspektin e teknologjisë, që ata të merren me këto raste”, ka thënë Haxha.
Haxha në “Tempus” tha se këta policë janë penguar në hulumtimin e këtyre rasteve nga vetë eprorët e tyre.
“Policia e ka kryer punën, janë arrestuar njerëzit, në vlerë prej 1 milion pajisje janë konfiskuar dhe është llogaritë si dëmi më i madh ekonomik që i është bërë Kosovës”, tha Haxha.
Ai shtoi se stafi që ka punuar për hulumtimin e këtyre rasteve janë kërcënuar me vrasje.