TEMPUS

Gruda: Çështja e hetimit të krimeve të luftës nuk duhet të bëhet politike

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në “Tempus” të KTV-së, tha se nuk duhet të bëhet politike çështja e hetimit të krimeve të luftës.

“Problemi i hulumtimit të dënimeve në lidhje me krimet e luftës duhet parë në një kontekst më të gjerë në rastin e Kosovës mendoj. Konteksti është ky, ne kemi qenë një shoqëri e cila ka përjetuar luftë, vrasje e tortura të llojllojshme. Në një kuptim, ne kemi përjetuar një neurozë kolektive, në kuptim të gjendjes si me thënë shpirtërore, ku njërit ia vranë familjarët, ia djeg shtëpinë, i shkatërrua gjithçka, ai nuk është në kushte racionaliteti për të menduar pasluftës si do ta organizojë jetën institucionale e drejtësinë, por në radhë të parë mendon si ta organizojë jetën e përditshme, të sigurojë shtëpi e ushqim”, tha Gruda.

Ai tha se ne nuk kemi hyrë e as nuk kemi dalë nga lufta si shtet, pasi nuk kemi pasur struktura shtetërore as kur kemi hyrë në luftë e as kur kemi dalë.

Teksa foli për administrimin e drejtësisë për krimet e luftës, tha se fillimisht pa diskutim përgjegjësia ka qenë e ndërkombëtarëve dhe se “ne kemi qenë si shoqëri shumë gjeneroz për bashkëpunimin me ndërkombëtarët në këtë drejtim, ngase më shumë nuk kemi mundur të bëjmë”.

“Procesi i ndërtimit të shtetit, i vendosjes së EULEX-it, dhënies së kompetencave për të hetuar krimet e luftës mendoj që duhet parë si pjesë e kontributit për të adresuar krimet e luftës. Nuk mendoj që me krimet e luftës ne duhet të bëjmë politikë. Mendoj që bën gabim të madh ministrja e Drejtësisë që bën këtë akuzë”, tha Gruda, duke iu referuar një postimi të Albulena Haxhiut, e cila akuzohet qeverisjet e kaluara për mosseriozitet në trajtimin e këtyre rasteve.