Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Gërxhaliu: Sa më tepër që anashkalohet pranimi i së vërtetës se ka krizë, ajo vetëm do të thellohet

Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, ka thënë se sa më shumë që anashkalohet pranimi i së vërtetës se ka krizë ekonomike, ajo vetëm do të thellohet.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Gërxhaliu ka thënë të martën se vendi nuk duhet të humbë kohë për të gjetur arsyet e dështimit, por duhet gjetur rrugë se si të dalë nga kriza.

“Sa më tepër anashkalohet pranimi i të vërtetës se kemi krizë, kriza vetëm do të thellohet dhe do të jetë shumë e vështirë për të dalë nga kriza. Në rend të dytë, besoj që nuk duhet të humbet kohë për t’u gjetur arsye për dështim, por duhet gjetur rrugë për të dalë nga dështimi. Dhe e treta, duhet pranuar fakti që Kosova ka hyrë me krizë në krizë. E them këtë bazuar në faktin se kemi pasur një COVID-19 dhe pastaj kemi qenë të goditur nga pandemia ekonomike, ku ka qenë e goditur pothuajse e gjithë bota dhe e treta janë pasojat e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Vetë fakti që kemi sot një shkallë të inflacionit që është rreth 13 apo 14%, kemi rënie të importit në 14%, në eurozonë kemi rënie në 8.5%, në Gjermani kemi inflacion 7.5% dhe për herë të parë në 40 vitet e fundit në Gjermani kemi rënie të eksporteve, ku importi është më i madh sesa importi në qershor të vitit 2022, besoj janë indikatorë që duhet të na brengosin dhe të bëjmë më tepër për ekonominë”, tha Gërxhaliu.