Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Gërxhaliu: 3.2 miliardë buxhet s’janë para të gatshme, duhet dialog me sektorin privat

Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike dhe njëherësh ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se në opinion mendohet se buxheti prej 3 miliardë e 200 milionë euro janë para të gatshme, ndërsa theksoi se realizimi i këtij buxheti nuk është i mundur pa një dialog të mirëfilltë me sektorin privat.

Në emisionin “Tempus” në KTV, ai tha të martën se zgjidhja e problemeve në Kosovë mund të arrihet me stabilitet politik dhe sundim të rendit dhe ligjit.

“Duhet të kuptohet se emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së gjitha problemeve në Kosovë është stabiliteti politik dhe sundimi i rendit dhe ligjit. Në rend të dytë, euforia rreth buxhetit vërtet është paksa e tepruar sepse në fund të fundit në opinion mendohet se ato 3 miliardë e 200 milionë euro janë para të gatshme. Ato janë projeksione dhe parashikime buxhetore dhe në qoftë se nesër do të kemi një devijim ose një pasiguri politike, kush garanton që ato do të jenë të grumbulluara. Prandaj, në këtë drejtim nuk mund të ketë realizim të tyre pa një dialog dhe një partneritet të mirëfilltë me sektorin privat”, tha Gërxhaliu.