TEMPUS

Drejtori i Psikiatrisë tregon se me çfarë problemesh po ballafaqohet kjo klinikë

Faton Kutllovci, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kjo klinikë po ballafaqohet me disa probleme.

Ai tha se shëndeti mendor është mirë i strukturuar dhe se ekziston një strategji e qartë në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor, mirëpo edhe përkundër strategjisë ballafaqohen me probleme të ndryshme.

“Ne ballafaqohemi me probleme të ndryshme, përfshirë infrastrukturën e dobët, mandej mungesën e funksionimit të ligjit për sa i përket trajtimeve të pavullnetshme dhe trajtimeve të detyrueshme, për çka edhe kemi pasur një raport shumë negativ nga Komisioni Evropian para pesë viteve dhe viti i kaluar është viti i parë kur Kosova ka pasur raport pozitiv për sa i përket respektimit të të drejtave të pacientëve me çrregullime mendore”, tha Kutllovci.

Kutllovci tha se ky është problemi numër një me të cilin ballafaqohen në punën e përditshme në Klinikën e Psikiatrisë sepse vazhdimisht thotë se kanë kërkesa për trajtimet e pavullnetshme.

“Por, ndonjëherë edhe presione të panevojshme për trajtimin e personave me probleme mendore në Klinikën e Psikiatrisë. Kjo nuk është e rregulluar me ligj sepse personat me prapambetje mendore nuk kërkojnë trajtim psikiatrik në radhë të parë, por kërkojnë përkujdesje sociale”, shtoi ai.

Drejtori i Psikiatrisë theksoi se problem tjetër është mungesa e Institutit të Sëmundjeve të Varësisë dhe mungesa e shtretërve në repartin për fëmijë dhe adoleshentë.