Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Milan Radoiçiq është ende në veprim dhe se po vazhdon të mbledhë njerëzit për një akt tjetër të mundshëm.
Radoiçiq kishte udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Në situatën e tashme, e kemi situatën e qetë, stabile por çdoherë me paralajmërim të tensioneve nga Serbia, pra me koncentrim të fortë edhe në afërsi të kufirit. Edhe normal, ndoshta do flasim më vonë për çështjet e Radoiçiqit se si ajo u trajtu, mirëpo siç po shihet ai është ende në veprim në fazën e fushatës se Vuçiqit, i cili si ekstrem i tij po vazhdon duke mbledhë serbë edhe për çështje të votimit por edhe ndonjë organizimi të mundshëm për ndonjë akt tjetër”, tha Ibishi.
Njohësi i çështjeve të sigurisë theksoi se mendon që Serbia në këtë drejtim s’do të pushojë, por që me praninë ndërkombëtare dhe institucionet e sigurisë, do të sigurohet paqja në vend.
“Pra, Serbia mendoj në këtë drejtim nuk do të pushojë, edhe institucionet shtetërore të sigurisë dhe sigurisht prania ndërkombëtare që ka shtuar kapacitetet në Kosovë, sidomos në çështjen e mbrojtjes së kufirit mendoj që do t’ia dalim që ta mbajmë paqen edhe për në Kosovë, por njëkohësisht t’i përgjigjemi gjitha këtyre sfidave që paraqiten apo që janë të ushtruara ndaj Kosovës dhe çdoherë me urdhrin e Vuçiqit”, tha ai.
Ibishi: Forcat serbe të koncentruara në Medvegjë e Bujanoc, që të ushtrohet presion ndaj shqiptarëve
Nuredin Ibishi , njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se forcat serbe të koncentruara në Medvegjë e Bujanoc, janë me qëllim që të ushtrohet presion ndaj shqiptarëve.
“Paraqiten shqetësimet sidomos në çështjet e ngritjes së largimit të forcave të koncentruara serbe në kufijtë me Kosovën, çka dua unë të potencoj që këto nuk po ndodhin në atë pjesën ku realisht u prit atje kah pjesa e Rashkës dhe kah pjesa nga Pazari i Ri, por koncentrimi është në pjesën e tri komunave, nëse dy komuna me shumicë shqiptare, e treta më është boshatis, Bujanoci e Medvegja janë jashtëzakonisht me koncentrim të madh të forcave edhe xhandarmërisë edhe të forcave të armatosura, edhe të njësive speciale, që tregon një presion të ri”, tha Ibishi.
Sipas tij, shtimi i forcave të NATO-s, e nxit zbatimin e marrëveshjeve.
“Këta po paraqesin sikur një presion me vetë praninë e njësive speciale në veri, çka nuk o e saktë, se është në sovranitetin e Kosovës, e tash po duan një lloj si reciprociteti me prezencën e forcave në tri komuna, gjegjësisht dy komunat me shumicë shqiptare. Ky shqetësim nuk ishte i rastësishme dhe mendoj se rritja e kapaciteteve të NATO-s edhe përgjithësisht edhe politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që më shpejt, të ecin në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve e ato çfarë paralajmërohet tash me vetë ngritjen e kapaciteteve edhe të EULEX-it, dhënies domethënë të përfaqësimit të autorizuar në veri të EULEX-it, pra tregon një përkushtim edhe të NATO-s por edhe njëkohësisht edhe të EULEX-it, për një mbulim, sidomos pjesës kufitare, pjesës poroze që mund të vijë deri te infiltrimi edhe të forcave paramilitare edhe të kontrabandimeve qoftë me armë dhe me mallra të kontrabanduara”, shtoi Ibishi.