TEMPUS

Mehmeti: Ligji i Pagave më së shumti e ka goditur sistemin gjyqësor

Avni Mehmeti, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, të hënën, tha se Ligji i Pagave më së shumti e ka goditur sistemin gjyqësor, dhe se ulja e pagave përfshin jo vetëm gjyqtarët e prokurorët, por edhe administratën.

Ai tha se edhe kur Ligji i Pagave ka qenë në konsultim publik, kanë thënë se pagat e gjyqtarëve nuk mund të preken, sepse bie ndesh me Kushtetutën dhe cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor.

“Ky ligj më së shumti e ka goditur sistemin e drejtësisë, sepse ka pasur ulje më të madhe të pagave në sistemin gjyqësor. Pra, kemi ulje të pagave jo vetëm të gjyqtarëve siç është proklamuar fillimisht në paraqitjet publike nga disa zyrtarë qeveritarë, por çka është më shqetësuese është se kemi edhe ulje të pagave të administratës së sistemit gjyqësor, tha Mehmeti.

Sipas tij, ulja më e madhe ndodhi në sistemin gjyqësor, ku përfshihet edhe sistemi prokurorial, ndërsa tha se ulje e madhe e pagave evidentohet edhe te administrata gjyqësore.

“Ulja ka varion nga 41.93% për gjyqtarë e deri në uljen në 25 rreth 26%, kjo varion nga cili pozicion punojnë gjyqtarët në nivelin Themelor, në nivelin e Apelit dhe në nivelin më të lartë të Gjykatës Supreme. Siç e thash në fillim, ulja e pagave nuk ka ndodhur vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe për stafin e administratës gjyqësore. Edhe këtu kemi ulje që variojnë deri në 51%”, shtoi Mehmeti.

Mehmeti sqaroi se për shkak të shtesës tranzitore, këtë muaj nuk ka pasur ulje të pagave.