TEMPUS

Alija: Politika, pengesa kryesore në mosndëshkimin e krimeve të luftës

Amer Alija

Amer Alija, koordinator i projektit të monitorimeve të gjykimeve për krime lufte – Fondi për të Drejtën Humanitare, në “Tempus” ka thënë se politika është pengesa kryesore për mosndëshkimin e krimeve të luftës dhe se duhet bashkëpunim ndërkombëtar në këtë drejtim.

“Në maj të vitit 2019 e kanë aprovuar ligjin për gjykimet në mungesë, ky ligj ka pësuar dy ndryshime deri në këtë moment. Ndryshimi i fundit do të hyjë në fuqi me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale në shkurt të këtij viti”, tha Alija.

Sipas tij, Qeveria në dialog duhet ta hapë temën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, nënshkrimin e protokolleve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Fillimisht, mund të fillohet me një mbikëqyrje ndërkombëtare, të shihet se si është duke u bashkëpunuar, si janë duke shkëmbyer informata. Për arsye se pengesa kryesore në mosndëshkimin e krimeve të luftës është pengesa politike. Pra, është mosbashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.