Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Alija: BE-ja t’i monitorojë edhe gjykimet për krime lufte në Serbi

Avokati në Fondin për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) duhet t’i monitorojë edhe gjykimet për krime lufte të cilat zhvillohen në Serbi.

Ai ka theksuar se ato zvarriten dhe ka gjykime që nuk kanë përfunduar për më shumë se 10 vjet.

Alija të premten në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se në Serbi rastet e krimeve të luftës nuk trajtohen me seriozitet.

“BE-ja duhet ta ketë parasysh dhe t’i monitorojë edhe proceset gjyqësore për krime lufte që zhvillohen në Gjykatën e Beogradit, dua ta potencojë që aktakuza e fundit që është ngritur për krime të luftës në vitin 2012 për rastin e Çyshkut, Zahaçit e Pavlanit, ku ka ndodhur vrasja e dhjetëra civilëve, ende procesi gjyqësor nuk ka marrë epilog përfundimtar dhe kjo tregon se sa me efikasitet dhe seriozitet është duke i trajtuar gjyqësori në Serbi veprat penale të krimeve të luftës”, ka deklaruar Alija.

Sipas tij për rritje të efikasitetit BE-ja duhet të kërkojë nga Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi për këtë fushë.

Edhe Alija: Serbia duhet të kushtëzohet me integrimin evropian për krimet e luftës Arbëri Alija: Serbia duhet të kushtëzohet me integrimin evropian për krimet e luftës

“Në rast se dëshirojmë të kemi më shumë rezultate në proceset e gjykimeve të krimeve të luftës, atëherë BE-ja duhet të kërkojë nga Kosova dhe Serbia të ulen dhe të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi dhe që dy palët të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi dhe që të dy palët t’i shkëmbejnë informatat apo t’i lehtësojnë këto procese gjyqësore”, ka deklaruar Alija.


Alija: Puna e gjyqësorit s’duhet të komentohet nga politikanët

Ai i ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të BE-së dhe atyre në Serbi lidhur me arrestimin e tre serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

“Puna e gjyqësorit nuk është dashur që të komentohet nga politikanët, qoftë nga Kosova, Serbia apo BE-ja dhe ata të cilat duhet të merren me këto çështje janë gjyqtarët dhe ata duhet t’i marrin vendimet. Gjykimet në Kosovës janë mjaft transparente dhe monitoruesit e BE-së apo EULEX-it janë prezentë në secilën seancë dhe ata janë duke i monitoruar nga afër këto procese”, është shprehur Alija.

Serbëve të arrestuar të mërkurën, të enjten u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas avokatit Alija gjyqtari i Procedurës paraprake ka vlerësuar se eksitojnë kushtet për caktimin e masës së paraburgimit.

Ai ka thënë se krimet për të cilat ata ngarkohen janë vrasje, plagosje dhe maltretime të shqiptarëve civilë gjatë periudhës së luftës në Kosovës në tri lokacione në Vushtrri.

Edhe Kurti: Është e domosdoshme që hetimet e gjykimet për krimet e luftës të marrin hov Arbëri Kurti: Është e domosdoshme që hetimet e gjykimet për krimet e luftës të marrin hov

“Krimet luftës janë prej krimeve më të rënda të paraparë në Kodin Penal, por mbetet të shihet pas hetimeve që sapo kanë filluar dhe të shohim se sa do të arrijë Prokuroria që të sigurojë prova dhe të ngritë aktakuzën”, është shprehur Alija, duke shtuar se ata ende konsiderohen vetëm persona të dyshuar.

Ai ka thënë se krahasuar me vitet e kaluara në Kosovë ka intensifikim të punës në trajtimin e krimeve të luftës. “Deri më tani janë arrestuar 7 persona për krime të luftës, janë ngritur 4 aktakuza dhe po ashtu janë ngritur edhe 6 aktakuza në mungesë, ka një intensitet më të lartë se vitet e kaluara. Në këtë mund të ketë ndikuar edhe krijimi i Drejtoria për hetim të krimeve të luftës në kuadër të Policisë së Kosovës”, ka theksuar Alija.