TEMPUS

Dugolli: Haxhiu s’është prokurore, politikisht po bën gjithçka për hetimin e krimeve të luftës

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, në emisionin “Tempus”, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk është prokurore dhe as gjykatëse, por që sipas tij, ajo politikisht po bën gjithçka për hetimin e krimeve të luftës.

Sipas Dugollit, nuk duhet bërë politikë me krimet e luftës dhe me të kaluarën e dhimbshme dhe se gishti i drejtuar ndaj Haxhiut është në adresën e gabuar, për shkak se sipas tij Haxhiu po bën gjithçka çka është e mundur që ta shtyjë përpara procesin e zbardhjes së këtyre krimeve dhe dënimin e tyre.

“Në aspektin politik, ajo të gjithë vullnetin politik që ta shtyn procesin përpara dhe kritikat e saj duhet marrë në kuptimin e mirëfilltë të adresimit të këtyre krimeve dhe dështimeve që edhe klasa politike i ka pas në këtë drejtim”, ka shtuar Dugolli.

I njëjti tha se janë pikërisht ata drejtues e ata komandantë, e politikanë, që e sollën Gjykatën Speciale, e që sipas tij ky është dëmi më i madh që është bërë, sepse Kosova nuk ka pasur nevojë për një Gjykatë Speciale që i dënon shqiptarët, por për një gjykatë që do ta dënonte krimin.

“E sollën do politikanë të cilët nuk ishin në gjendje ta kuptojnë dredhinë edhe ta kuptojnë hilen e madhe që po i bëhet Kosovës e luftës sonë. Nuk bëhet pyetje për individë, bëhet pyetje për një luftë”, ka thënë tutje Dugolli.