Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se mandati i ri i AKK-së, ashtu sikurse edhe e tregon emri, më shumë do të fokusohet në parandalimin e korrupsionit, sesa në luftimin e tij.
Në emisionin “Tempus” në KTV të martën, Buleshkaj ka thënë se Agjencia nga gushti i këtij viti, quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, e jo siç është quajtur më parë Agjencia Kundër Korrupsonit.
“Do të thotë, që nga titulli tregohet se mandati i ri fokusohet më shumë në parandalim të korrupsionit, e më pak në luftim të korrupsionit, siç ka qenë më herët”, tha Buleshkaj.
Ai tregoi edhe detyrat e reja që i ka paraparë Ligji i ri për këtë agjenci.
“E para, cila është tepër e rëndësishme është skanimi anti-korrupsion i legjislacionit, qoftë i atij primar apo sekondar. Ne edhe vetë si Agjenci, por edhe institucionet ndërkombëtare e OJQ-të, e kanë vërejtur se mund të ketë legjitimuar ndonjë formë të korrupsionit. E kjo tentohet të parandalohet me skanimin që do t’ia bëjmë ne këtij legjislacioni se mos ndonjë formë e korrupsionit po zhvillohet qoftë me aktet nënligjore apo legjislacionin primar”, është shprehur ai.
Buleshkaj tha se janë duke zhvilluar metodologjitë për shqyrtimin e legjislacionit, kurse theksoi se punë tjetër e rëndësishme në parandalimin e korrupsionit është hartimi i planeve të integritetit, të cilat do të jenë të obliguara që secili institucion t’i ketë në vend.
Ai tha se detyrë tjetër është monitorimi i sektorëve të ndryshëm kundër korrupsion, që do ta bëjë kjo agjenci.