TEMPUS

Mujku: Viktimat e dhunës seksuale jetojnë në strehimore, të dyshuarit në liri

Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, ka thënë se ka raste kur viktimat e dhunës seksuale jetojnë në strehimore, e të dyshuarit janë në liri.

Ai është ankuar për numër të vogël stafi në qendrën që udhëheq.

“Ne kemi viktimë të dhunës seksuale, e cila qëndron në një lloj tipi të mbyllur, në një lloj burgu, derisa i kemi të dyshuarit apo mos t’ua jap një epitet, të dyshuarit që janë liruar prej masës ose qëndron në shtëpi, ose lajmërohen në polici”, ka thënë Mujku në “Tempus“.

Ai ka thënë se kohën e fundit ka numër të madh të viktimave të dhunës seksuale, që janë të mitura.

“Kohën e fundit kemi një numër të viktimave të dhunës seksuale dhe ato të moshës shumë të mitur, 11, 12-14-vjet. Diçka që është e paparamenduar për neve. Inkurajojmë të gjitha rastet që të dalin në sipërfaqe dhe të mos mbesin raste të mbyllura”, ka deklaruar Mujku.

Ai ka thënë se janë duke u përballur me një situatë tejet të rëndë, pasi që vetëm në muajin shtator kanë pasur 30 viktima të dhunës në familje.

“Kjo javë quhet java e viktimave të trafikimit të krimit, por ne si institucion social çdo ditë pothuajse njoftojnë viktimat e krimit sepse jemi 24 orë në punë dhe punojmë në vazhdimësi. Për fat të keq po përballemi me situatë jashtëzakonisht të rëndë”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se ky numër i viktimave të dhunës në familje ka qenë një rekord i zi. Ai ka treguar se vitin e shkuar në Prishtinë kanë qenë 229 raste të tilla në një vit, ndërkaq sivjet deri tash janë rreth 300 raste.

Mujku ka kërkuar studim të popullsisë për këtë çështje.