Javën e kaluar, raporti i sajtit XDA kishte përmendur tre pajisje të reja Xiaomi, me emërtimet e koduara pyxis, bamboo_sprout dhe cosmos_sprout. Të tre modelet e kanë një sensor të gjurmëve të gishtave në ekran, ndërsa versionet "sprouted" janë pjesë e linjës Android One. Kjo sugjeron që ata mund të paraqiten si Xiaomi Mi A3 dhe Mi A3 lite. Kjo na lë "pyxis", i cili do të duhej të jetë telefoni i ardhshëm Xiaomi X, ndërsa tani janë shfaqur specifikimet për modelin Mi 9X, përcjell GSMArena.
Sipas informacionit të rrjedhur, Xiaomi Mi 9X do ta ketë një ekran 6.4-inçësh FHD AMOLED, selfie kamerë 32MP dhe sensor për gjurmë gishtash në ekran. Do të punojë falë çipsetit Snapdragon 675, të çiftuar me 6GB RAM dhe 64GB hapësirë të ruajtjes.
Telefoni në anën e pasme do ta ketë një sistem me tre kamera (sensori kryesor prej 48MP, 13MP me kënd të gjerë dhe 9MP telefoto). Kur është fjala për softuerin, do ta përdorë interfejsin Miui 10, i cili vjen përmes platformës Android 9 Pie. Bateria e ka një kapacitet prej 3300mAh dhe e mbështet mbushjen e shpejtë prej 18W, shkruan KOHA Ditore.
Pritet që modeli Mi A3 të ketë karakteristika të ngjashme me Mi 9X, ku Mi A3 me siguri do ta ketë një rezolucion më të ulët të ekranit dhe çipset më të dobët. Çmimi i pritshëm fillestar i telefonit 9X është rreth 220 euro, ndërsa do të duhej të paraqitet në prill.