Tech

Xiaomi, OnePlus dhe Essential i bashkohen Google në publikimin e Android 10

Pasi që Google e publikoi Android 10 për pronarët e telefonave Pixel, janë prononcuar edhe kompani të tjera të cilat po e publikojnë Android 10 për pajisjet e tyre (por vetëm deri në një nivel të caktuar), raporton Neowin.

Kompania “Essential” praktikisht e ka një punë të lehtë, pasi që vetëm telefoni i saj kërkon mbështetje për Android 10, ndërsa pajisja e përdor kryesisht stock Android, kështu që nuk është për t'u habitur që do ta marrë kaq shpejt versionin e ri të softuerit, shkruan KOHA Ditore. Përveç kësaj, azhurnimi është në dispozicion vetëm për përdoruesit e përzgjedhur në tregun e hapur.

Image

Xiaomi e ka mundësuar azhurnimin për modelin e vet Redmi K20 Pro në Kinë dhe Indi, ndërsa pritet që edhe varianti ndërkombëtar i këtij modeli (Mi 9T Pro) ta marrë së shpejti të njëjtin azhurnim.

Në fund, OnePlus e paralajmëroi Android 10 për OnePlus 7 dhe OnePlus 7 Pro, por nuk bëhet fjalë plotësisht për build stabil. Azhurnimi vjen si Oxygen OS Open Beta 1 dhe mund të shkarkohet dhe instalohet manualisht nga kushdo. Edhe pse është mjaft i ilustruar, ky azhurnim është ende në beta dhe përdoruesit këshillohen ta presin versionin stabil.

Gjithnjë e më shumë prodhues pritet ta sjellin Android 10 për pajisjet e tyre në periudhën në vazhdim.