Një dekret i ri ka hyrë në fuqi të mërkurën në Vietnam, i cili parasheh gjoba për përhapjen e lajmeve të rreme apo thashethemeve nëpër media sociale, si pasojë e shpërndarjes së shpejtë të komenteve online lidhur me koronavirusin e ri në këtë shtet të Azisë Juglindore.
Rastet e para me COVID-19 në Vietnam janë paraqitur në janar teksa ministria e Shëndetësisë ka raportuar deri më tani për 267 të infektuar dhe asnjë të vdekur, shifra këto dukshëm më të ulëta se në disa shtete të tjera aziatike.
Autoritetet lokale tashmë kanë gjobitur me qindra persona për postimin e përmbajtjeve që u përshkruan si “lajme të rreme”, duke e përdorur termin që fitoi popullaritet nga presidenti amerikan, Donald Trump, bazuar në dispozitat ekzistuese ligjore. Por dekreti i ri, i përpiluar në shkurt, e plotëson atë të vitit 2013, i cili nuk i mbulon specifikisht lajmet e rreme, thuhet në udhëzimet e reja.
Gjoba prej 10-20 milionë dongësh (426-853 dollarë), shumë kjo ekuivalente me pagën bazike të tre deri gjashtë muajve në Vietnam, do t’u shqiptohet personave që i përdorin mediat sociale për të shpërndarë informata të rreme, të pavërteta, të shtrembëruara apo qëllimkëqija, thuhet në dekret.
Rregullat e reja nuk janë caktuar specifikisht për trajtimin e komenteve rreth koronavirusit nëpër mediat sociale dhe shkojnë përtej kësaj teme, duke e ngritur shqetësimin mes grupeve të së drejtave të njeriut që tashmë ishin të alarmuar shkaku i një ligji për sigurinë kibernetike, i cili kishte hyrë në fuqi që nga viti i kaluar.
Penalltitë tani mund të zbatohen ndaj çdokujt që ndanë publikime të ndaluara për qarkullim në Vietnam, sekrete shtetërore ose harta që nuk i pasqyrojnë pretendimet territoriale të Vietnamit në Detin Jugor të Kinës, thuhet po ashtu në dekret.
-
Pesë vjet burgim për një burrë në Vietnam, theu rregullat e karantinës dhe shpërndau koronavirusin
-
Vietnami shënon rastin e parë me COVID-19 pas 89 ditësh
-
Në Vietnam vdes personi i parë nga COVID-19
-
Vietnami në alarm pas rasteve të para me COVID-19 që nga prilli
-
Si ia doli Vietnami me 97 milionë banorë mos të ketë asnjë viktimë nga koronavirusi