Twitteri ka shkelur një marrëveshje duke mos paguar miliona dollarë bonuse që ky rrjet social tash i quajtur X u kishte premtuar punonjësve të tij, raportoi të hënën Reuters.
Mark Schobinger, i cili ishte drejtor i lartë i kompensimit në Twitter përpara se të largohej nga kompania e Elon Muskut në maj, paditi Twitterin, duke pretenduar shkeljen e kontratës.
Padia e Schobingerit pretendonte se para dhe pasi miliarderi Musk bleu Twitterin vitin e kaluar, ai u premtoi punonjësve 50 për qind të bonuseve të tyre të synuara për vitin 2022, por pagesat nuk ndodhën asnjëherë.
Duke mohuar mocionin e Twitterit për të pushuar çështjen, gjykatësi i qarkut i SHBA-së, Vince Chhabria vendosi që Schobingeri deklaroi në mënyrë të besueshme një shkelje të pretendimit të kontratës sipas ligjit të Californias.
Avokatët e Twitterit argumentuan se kompania bëri vetëm një premtim gojor që nuk ishte një kontratë dhe se ligji i Teksasit duhet të rregullojë çështjen, sipas Courthouse News, i cili raportoi fillimisht vendimin.
X është goditur me padi të shumta nga ish-punonjësit dhe drejtuesit që kur Musku bleu kompaninë dhe largoi më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore të tij.
Paditë paraqesin një sërë pretendimesh, duke përfshirë atë që X diskriminoi punonjësit e moshuar, gratë dhe punëtorët me aftësi të kufizuara dhe nuk njoftoi paraprakisht për pushimet masive nga puna.