Tech

Twitteri ka shpërndarë zyrën e tij në Bruksel

Twitteri ka shpërndarë të gjithë zyrën e tij në Bruksel, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me pajtueshmërinë e kompanisë së mediave sociale me ligjet e reja të BE-së për të kontrolluar teknologjinë informative.

Julia Mozer dhe Dario La Nasa, të cilët ishin përgjegjës për politikën dixhitale të Twitterit në Evropë, u larguan nga kompania javën e kaluar, raportoi Financial Times.

Dyshja i kishte mbijetuar një largimi fillestar, kur Elon Musku pushoi nga puna mijëra punonjës pas marrjes së kompanisë muajin e kaluar. Është e paqartë nëse Mozer dhe La Nasa u larguan apo zgjodhën të largoheshin vetë, në përgjigje të ultimatumit të Muskut për t'u angazhuar për të punuar me orë të stërzgjatura ose për t'u larguar.

Nuk është bërë po ashtu e qartë nëse Twitteri po e mbyll zyrën e tij në kryeqytetin evropian, një nga qendrat më të mëdha në botë të rregullimit të teknologjisë.

Në rundin e parë të pushimeve nga puna, Twitteri shkarkoi rreth gjysmën e 7,500 fuqisë punëtore të tij, duke shpërbërë ekipe të tëra, duke përfshirë nga ata për të drejtat e njeriut, mësimin e makinerive dhe etikën algoritmike. Mes mijërave që humbën punën ishte edhe kreu i zyrës së Brukselit, Stephen Turner.

“Pas 6 vitesh jam tërhequr zyrtarisht nga Twitter. Nga fillimi i zyrës në Bruksel deri te ndërtimi i një ekipi të mrekullueshëm, ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm”, ka shkruar Turner në Twitter më 14 nëntor.